Athinë, 29 gusht – Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte një prej temave për të cilat biseduan në takimin e sotëm në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri grek, Kirjakos Micotakis, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina, transmeton Koha.mk
Në konferencën për shtyp pas takimit, Micotakis e përsëriti qëndrimin e tij rreth Marrëveshjes së Prespës.
“Bisedojmë për çështjet e Ballkanit. Kancelarja i di mendimet e mia se Marrëveshja e Prespës është marrëveshje me mangësi serioze, por mangësi të cilat mund të zbuten përmes perspektivës së përgjithshme evropiane të Ballkanit Perëndimor”, tha Micotakis.
Merkel konfirmoi se është folur për Ballkanin dhe për europerspektivat e vendeve të rajonit.
“Biseduam për çështjet e zgjerimit të Bashkimit Evropian, gjegjësisht për negociatat inkuadruese të Serbisë, Malit të Zi, por edhe për të ardhmen e negociatave inkuadruese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se këtu konstatojmë një sërë aspektesh të përbashkëta të cilat kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona bilaterale dhe mund të kemi sukses”, tha Merkel.
Çështja e refugjatëve/emigrantëve dhe respektimi i marrëveshjes BE-Turqi, investimet në energjetikë, plani i përbashkët për zhvillim të gjelbër që do të prezentohet në fillim të vitit të ardhshëm dhe ekonomia, ishin temat e tjera për të cilat biseduan Merkel dhe Micotakis në takimin e tyre në Berlin që zgjati mbi një orë. (koha.mk)