Shkup, 10 janar – Marrëveshja e Prespës nuk sjell përfitime vetëm për Maqedoninë Veriore e cila mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së, por është në interesin edhe të Greqisë dhe gjithë Evropës, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel pas takimit me kryeministrin e Greqisë Aleksis Cipras dhe ka theksuar se nuk ka asnjë lidhshmëri midis zgjidhjes së kontestit të emrit dhe reformat ekonomike që po zhvillohen në Greqinë siç kishte deklaruar lideri i Demokracisë së Re, Kirjakos Micotakis, informon Koha.
Në këtë takim përveç se për Marrëveshjen e Prespës është biseduar edhe për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit. Kancelarja gjermane në paraqitjen e saj para gazetarëve e ka përdorur emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, edhe pse procesi i ndryshimeve Kushtetuese ende nuk është mbyllur në Parlament.
“Jam falënderuese Cipras, i cili punoi në zgjidhjen e problemit disa vjeçar të emrit, duke u përpjekur të gjejë zgjidhje bashkërisht me kryeministrin e vendit fqinj, zotëri Zaev”, tha Merkel duke shtuar Maqedonisë Veriore i jepet mundësia të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimi Evropian.
Merkel, ka theksuar se marrëveshja me Greqinë nuk është e mirë vetëm për Maqedoninë Veriore por edhe për vetë Greqinë dhe gjithë Evropës.
Nga ana tjetër kryeministri grek Aleksis Cipras tha se marrëveshja e Prespës në të ardhmen mund të jetë model për zgjidhjen e kontesteve.
“Marrëveshja e Prespës është hap i rëndësishëm për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e përbashkët në rajon. Edhe unë besoj se mund të jetë model edhe për marrëveshjet tjera në të ardhmen”, ka theksuar Cipras. (Koha.mk)