Drejtuesit e Barcelonës kanë një përpiluar një “hartë”, për nevojat që ka skuadra, për të ndërhyrë në merkato. Janë përcaktuar me të kuqe tashmë tri pika kryesore, ku do të punohet gjatë dy hapësirave kohore të shitblerjes së futbollistëve, në janar dhe verë.
Katalanët po kërkojnë një anësor të djathtë të padiskutueshëm, për të zgjidhur një herë e mirë paqëndrueshmërinë në këtë pozicion, ku Semedo ka nevojë për një konkurrent të fortë. Gjithashtu shihet e domosdoshme gjetja e një qendërmbrojtësi me nivel të lartë, duke parë moshën e Piquesë (do të mbushë së shpejti 33-vjeç) dhe gjendjen fizike të Umtitisë, që më shumë po qëndron në infermieri i dëmtuar.
Do të synohet afrimi i një qendërsulmuesi me shumë potencial, pasi Suarez, nuk jep garanci për të ardhmen e largët.
Ëndrra madhe për krahun e djathtë të mbrojtjes mbetet Joshua Kimmich, pavarësisht se Semedo po përmirësohet shumë dhe konsiderohet titullar i padiskutueshm, për momentin. Në këtë pozicion është përshtatur prej disa vitesh Sergi Roberto, por gjatë këtij sezoni ky i fundit është parë më shumë si alternativë në mesfushë. Anësori i tretë që ka në dispozicion Valverde, është Moussa Wague, por që nuk ka bindur për t’i besuar një detyrë kaq të rëndësishme në të ardhmen.
Gjermani Kimmich, 24-vjeç, ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2023 dhe vështirë se kampionët e Bundesligës do të pranojnë të privohen nga shërbimet e tij, veç në rast se vetë futbollisti kërkon me ngul largimin. Tjetër alternativë, që po vlerësohet nga stafi i Barcelonës, ëshë Lukas Klostermann, 23 vjeçi që luan te Leipzigu. Ai ka kontratë deri në vitin 2021 dhe konsiderohet “yll” në shkëlqim e sipër në futbollin gjerman.
Sa i përket mbrojtësit të qendrës, që do të pasojë Piquenë (ka premtuar se do të luajë deri në vitin 2022), sytë janë hedhur nga serbi Nikola Milenkovic. 22-vjeçari, 1.95 metra i gjatë (Piqué është 1.94), luan edhe si mbrojtës i djathtë. Prej dy vitesh po shkëlqen te Fiorentina dhe në përfaqësuesen e Serbisë. Barcelona po mbledh informata edhe për danezin e Chelsea-t, Andreas Christensen, gjithashtu në moshë të re, 23 vjeç, dhe me parametrat e duhur fizike (1.88 m i gjatë).
Kupola drejtuese e Barcelonës kërkon gjithashtu një numër 9 “vrasës”, për të pasuar Luis Suarezin, që në muajin janar do të mbushë 33-vjeç. Ëndrra është Kylian Mbappe, por shumë e vështirë për t’u bërë realitet. Një tjetër emër i madh, që pëlqehet shumë nga Barça, është Harry Kane, goleadori 26-vjeçar i Tottenhamit, pa harruar Marcus Rashford të Manchester United. Problemi është se klubet angleze nuk janë të detyruara t’i shesin “yjet” e tyre.
Në majën e listës, në fakt, për këtë pozicion është ngjitur Lautaro Martinez, sulmuesi 22-vjeçar i Interit, një lojtar i fuqishëm që garanton gola. Ka treguar se di të shënojë edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë. E ka bërë kundër Barcelonës, Juventusit dhe Borussias së Dortmundit. Një detaj në favor të tij është fakti që te Barça do të luante përkrah bashkëkombësit të tij, Lionel Messi. Një tjetër opsion është Pierre-Emerick Aubameyang, i cili nuk është i kënaqur tek Arsenali dhe nëse nuk pranon rinovimin e kontratës, klubi anglez do të ishte i detyruar të hynte në bisedime për shitjen e tij.