Shkup, 11 janar – Aleanca për Shqiptarët ka përshëndetur miratimin e Ligjit për gjuhët, ndërsa në njoftimin drejtuar mediave janë shprehur se “meritat ju takojnë shqiptarëve për Ligjin e gjuhës shqipe”.
“Sot, në Kuvendin e RM u votua Ligji për përdorimin e Gjuhës shqipe, një veprim politik, i përbashkët që avanson një kërkesë të rëndësishme të shqiptarëve siç është Ligji për përdorimin institucional të Gjuhës Shqipe. Meritat për këtë ligj, ju takojnë shqiptarëve. Atyre që gjithmonë kanë sakrifikuar deri tani për çështje kombëtare ku bën pjesë një e drejtë fundamentale siç është përdorimi institucional i gjuhës. Dhe jo politikanëve dhe partive politike, që për dy dekada kanë mbajtur peng kërkesat e shqiptarëve, dhe të njëjtën kohë kanë qenë pjesë e pandarë pushtetit. Ishte pikërisht propozim Ligji i Gjuhës Shqipe që Aleanca për Shqiptarët e përkrahëm shumicën e re parlamentare, kontribuuam dhe përdorëm maksimalisht të gjitha mundësitë kushtetuese që ky ligj të jetë cilësor dhe t’i përmbush kërkesat e shqiptarëve. Tani në vend të euforisë, vëmendjen politike e kemi të përqendruar në implementimin e këtij ligji në praktikë, sepse shumë ligje nga Marrëveshja e Ohrit nuk janë implementuar drejt dhe janë zhagitur pa fund sepse ka munguar vullneti politik, dhe aspekti I sanksionimit për ata institucione dhe udhëheqës të institucioneve që nuk i kanë implementuar ligjet e tilla”, thuhet në njoftimin e ASH-së.