Janë shumë gjëra të cilat më motivojnë në punën time, por më e rëndësishmja është ndjenja që ma mbërthen kur klienti aprovon me kënaqësi grimin dhe kur puna ime finale e bën atë të lumtur. Të bësh dikë të lumtur me punën tënde është motivimi më i madh
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Të bësh makeup është arti më i ndjekur i ditëve të sotme. Madje është kthyer në një profesion të mirëfilltë. Pavarësisht se konkurrenca është e lartë, Merita Merja është shqiptarja që ka arritur suksesin brenda por edhe jashtë vendit dhe duke mos e parë si konkurenë por si mënyrë për të ecur përpara, Në 15 vjet eksperiencë, ajo ka ushtruar pasionin e saj dhe ka mësuar shumë, madje së fundmi ka lancuar dhe linjën e saj të produkteve të ndryshme kozmetike. Masterclassi i javës së parë të dhjetorit bëji bujë kudo në Shqipëri por edhe jashtë vendit sepse ajo është e para makeup artiste që realizoi me sukses një të tillë në Shqipëri. “Në konkurrencë me perfeksionin” është motoja e saj dhe ja si e shpjegon ajo të gjithë rrjedhën e këtij eventi e jo vetëm….!, të gjitha këto për InfraRed të gazetës KOHA.
KOHA: Një MasterClass në Shqipëri, si arrite ta realizoje me sukses sepse për të qenë të sinqertë pati shumë sukses?
Ka qenë ëndrra ime e mbajtur në sirtar për vite me radhë. Ka qenë një rezultat i punës time 15 vjeçare ky masterclass dhe falë Zotit ia dola me sukses. Atë ditë kisha shumë pjesëmarrës, mikesha të mijat, të apasionuara pas makeup-it dhe personazhe publike që unë i kam zbukuruar herë pas herë kur kanë pasur evente apo dalje në ekran.
KOHA: Çfarë do mbash mend gjatë nga ky masterclass?
Gjithçka, ishte gjithçka për të mos u harruar. Moderatori im i cili ka qenë krah meje – Olti Curri i dha nota të bukura të gjithë eventit, modelet e mia që realizova makeup-et e nuses dhe të thjeshtin ndërkohë që shpjegova edhe sekretin e atij materclassi, përzierjen e pigmenteve me ngjyrë me pak makeup për të nxjerrë ngjyrën e dëshiruar për lëkurën e dëshiruar në fytyrën e klienetes. Pastaj, për të mos lënë pa përmendur edhe vlerësimet, mesazhet pa fund, lulet, përqafimet, nuk kam fjalë, jam e mrekulluar nga vlerësimet e të pranishmëve.
KOHA: Do ketë të tjerë më pas?
Do ketë sigurisht një moment të dytë ku unë do shpalos një tjetër sekret bukurie për sa i përket vetullave, por që dua ta lë surprizë sepse është vërtetë një metodë që do t;ju lë gojëhapur.
KOHA: Duke pasur 15 vite përvojë, cila mendoni se është ajo gjë që siguron suksesin në këtë fushë?
Ka disa gjëra që garantojnë sukses si pasoni, përkushtimi maksimal në profesionin e zgjedhur dhe mos refuzimi i mundësive të reja që të ofrohen sepse asnjëherë nuk mund ta dish se ku mund të të çojnë ato.
KOHA: Kush ka qenë (ose vazhdon të jetë) influenca juaj apo një shembull që ju motivon?
Janë shumë gjëra të cilat më motivojnë në punën time, por më e rëndësishmja është ndjenja që ma mbërthen kur klienti aprovon me kënaqësi grimin dhe kur puna ime finale e bën atë të lumtur. Të bësh dikë të lumtur me punën tënde është motivimi më i madh.
KOHA: Ke menduar ndonjëherë ta lësh këtë profesion apo të vendosësh diçka tjetër primare?
Asnjëherë nuk e kam menduar që ta lë këtë profesion, sepse më shumë vetëbesim mund ta them se ndihem e përmbushur duke e bërë atë. Pavarësisht faktit që ndiej lodhje duke qenë tërë ditën në këmbë, unë e shijoj punën time aq shumë sa që nuk do ta kisha konsideruar punë por më shumë kënaqësi.
KOHA: Cilat janë 5 produktet e makeup-it që i keni gjithnjë me vete?
Qerpikët e mi nga “Merita Eylashes”, pigmentet me ngjyra Ferraruci, makeup Forever 52 që janë dhe sponsorët e mirë në këtë masterclass pore dhe gjatë gjithë veprimtarisë time në grim, rimelin (Dior), pudrën e mineralizuar Dior dhe Huda dhe xhelin për vetullat Ferraruci.
KOHA: Si është një ditë e zakonshme e juaja?
Ditët e mia nuk janë asnjëherë të njëjta, sepse jam grimiere që kam biznesin tim dhe drejtoj vetë, kam takime të ndryshme pune. Në fakt do ta kisha të vështirë ta përshkruaja si një ditë të zakonshme. Çdo mëngjes, bëj shumë pak makeup, vetëm sa të dukem e freskët dhe më pas duke pirë kafe, lexoj email-et. Zakonisht kam shumë klientë në ditë dhe pothuasje e gjithë dita ime është me ta, përveç kohës kur kam takime apo angazhime familjare. Kështu dita ime mund të vazhdojë deri në mesnatë, sepse për të ndjekur punën time duhet kohë.
KOHA: Një këshillë për të gjithë artistët e rinj që aspirojnë një karrierë në këtë fushë?
Këshilla për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen makeup artist është të punojnë fort, gjithmonë të jenë profesionalë në punën e tyre. Të kenë pasion për atë që bëjnë, sepse pa pasion nuk do të jenë të lumtur dhe kjo do ndihet në punën e tyre. Të kërkojnë gjithmonë të bukurën dhe të mos heqin dorë kurrë.