Merita Merja, administratorja e sallonit të bukurisë “Merita” dhe gjithashtu edhe të shkollës së parukerisë dhe estetikës me të njëjtin emër, njëkohësisht edhe make-ap artist dhe disajnere fustanesh nusesh më e kërkuar në Shqipëri, por edhe jashtë saj, duke krijuar dinastinë e saj të bukurisë deri në Dubain e largët. Ajo ndryshe quhet edhe make-up artistja e vipave sepse në sallonin e saj zbukurohen emrat më të njohur të showbizit shqiptar. Për më gjatë flasim më Meritën në InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Merita, je një emër mjaft e njohur, për të mos thënë që je më e njohura në fushën e bukurisë. Për ata që duan të të njohin më shumë, lexues të gazetës KOHA, sa kohë ke që je pjesë e botës së bukurisë?
Unë kam më shumë se 15 vjet që jam pjesë e botës dhe artit të së bukurës dhe ia kam dedikuar të gjithë punë dhe vullnetin tim kësaj fushe.
KOHA: Saktësisht, një profesioniste e estetikës merret me gjithçka që ka të bëjë me kurimin e imazhit të një femre?
Saktësisht një profesioniste e estetikës duhet të merret me gjithçka që ka të bëjë me zbukurimin dhe me të bërit të ndihen mirë femrat. Bota e së bukurës është një kompleks i tërë që zbërthehet sapo hyn në derën e sallonit, të një profesioniste, bëhet fjalë gjithmonë.
KOHA: Cili është raporti yt me ngjyrat?
Unë shquhem për ide dhe fantazi në ngjyra sepse e kuptoj që në shikimin e parë, se çfarë ngjyre i shkon një klienteje të caktuar në vetull, make-up apo edhe thonj. Edhe ngjyrat janë me personalitet sepse jo çdo ngjyrë mund t’i shkojë çdo femre. Kështu, mundohem dhe shpresoj t’ia kem arritur të realizoj idetë e mija tek klientet që nuk janë të pakët dhe këtë e kam vërtetuar nga vlerësimet dhe falënderimet e tyre në mbi 15 vjet eksperiencë!
KOHA: Di që edhe stilon fustane nusesh apo jo?
Po ke shumë të drejtë, fustanet që kam disenjuar vetë kanë pasur një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm në Shqipëri pore dhe jashtë saj, deri në Dubai. Në Dubai çoj fustanet më të fundit, por edhe bëj master classe make-up për zonjat atje, që kanë dëshirë që të mësojnë teknikat në make-up.
KOHA: Si dhe sa është rritur shkolla jote e bukurisë që nga krijimi saj?
Akademia e bukurisë që unë drejtoj, ka nisur nga zeroja dhe duke u bazuar me fluksin e studentëve që rritet çdo ditë jam shumë e kënaqur me rezultatin . Le të themi që kam dalë nga pritshmëritë e fillimit dhe mund të themi që femrat shqiptare janë shumë punëtore dhe kanë dëshirën e mirë për të studiuar.
KOHA: Cili është stafi që punon në shkollën tënde?
Unë çdo vit përzgjedh vajzat me ekselente që dalin nga shkolla si në fushën e parukerisë & estetikës, të cilat trajnohen dhe kalojnë në mësimdhënie për të nxjerrë breza të rinj të kualifikuar. Gjithashtu, ne zhvillojmë vazhdimisht seminare me specialistë të huaj. Nuk mund të mos përmend edhe shkollën që kam në Kosovë e cila është shumë e suksesshme dhe ka një fluks studentesh që diplomohen në këtë fushë.
KOHA: Akademia jote është vendi që frekuentohet me aq shumë Vipa, kanë teka ata?
Sigurisht që unë ndihem e vlerësuar që salloni im frekuentohet nga personazhet publikë. Nuk them se kanë teka por kanë kërkesa të cilat kënaqin atë që kanë planifikuar në mendje. Ju besoj më keni ndjekur në rrjete sociale dhe e keni parë sa shumë postime dhe vlerësime merr puna ime nga personazhet publike.
KOHA: Cili është aktiviteti i shkollës tënde të bukurisë?
Ne ftojmë studentet tanë ne aktivitetet e ndryshme që marrim pjese si akademi, konkurse bukurie, photoshooting etj ku ato vetë tanë bëjnë make up stilime, kështu janë të gatshëm të kalojnë direkt te klienti dhe janë më të aftë nga ana organizative tek eventet e ndryshme . Organizojmë masterclass , festa në mënyrë që studentët të jenë me social dhe të mësohen me punën në grup.
KOHA: Cilat janë disa nga arsyet që ti parashtron që shkolla jote është ndër më të mirat në fushën e bukurisë në Shqipëri ?
Nga numri i studentëve që është gjithnjë në rritje besoj se vlerësimin e punës time e kanë dhënë ata. Si programacion është shume i pasur në krahasim me vlerën monetare që paguhet , por unë me shumë mund, përpjekje ndërgjegje të pastër dhe me shpirt mundohem që ato të dalin të përgatitur në maksimum nga shkolla jonë.
KOHA: Si e shikon botën e bukurisë sot në Shqipëri?
Shqipëria ka ndryshuar shumë në çdo aspekt po ashtu edhe në botën e bukurisë. Koncepti i vajzave ka ndryshuar shumë për pikëpamjet për të bukurën , po ashtu edhe në vlerësimin objektiv të kësaj fushe. Më vjen mirë që rinia shqiptare priret tashmë për shkollat profesionale edhe për më tepër kanë njohuri dhe dëshirë të bëhen profesioniste të së bukurës.
KOHA: Çfarë do të donit të ndryshoni ?
Mendoj se çdo gjë, është në rrugën e duhur dhe po arrijmë në nivele europiane në këtë fushë. Me kohën do arrijmë shumë. Jam shumë krenare për femrat shqiptare dhe kam besim tek ata sepse jam çdo dite mes tyre dhe shoh që Shqipëria po rrit një brez të përgatitur dhe me perspektiva.
KOHA: Nëse nuk do ishe bërë pjesë e botës së bukurisë, çfarë do ishe sot?
Mendoj se do isha një avokate shumë e mirë.
KOHA: A e shikon në fund të fundit, parukerinë dhe estetikën si një histori suksesi?
Me bindje them se po sepse shkollat e bukurisë po shtohen çdo ditë gjithashtu numri i studenteve në këtë fushë. Dhe jam shumë e lumtur që të paktën studentet e shkollës time janë punësuar të gjithë pasi kanë kryer studimet tek ne!