Mërgimtari ndihmon shkollën e “harruar”

Patriot LUMANI

Strugë, 24 mars – Frëngova është një nga lokalitetet e Strugës. Edhe pse jo më shumë se gjashtë kilometra nga qendra e qytetit të Strugës, është një nga vendbanimet që nuk e ka ndier dorën e ngrohtë të autoriteteve, shkruan gazeta KOHA. Së fundi ishte iniciativa e rinisë së fshatit që nëpërmjet mobilizimit të kompanive private të fshatit dhe ndihmës së banorëve dhe mërgatës për të realizuar një sërë investimesh të domosdoshme në fshat, si zgjerimi i rrugëve, ndërtimi i mureve rrethuese si dhe investime të tjera të domosdoshme. Por, ajo që ka brengosur më shumë banorët e Frëngovës, së fundi ka qenë gjendja e vështirë që mbretëron në shkollën e fshatit.

Në të, përveç se mungojnë kushtet elementare didaktike, konstatohet se edhe bankat dhe karriget janë në një gjendje të mjerueshme, kurse të mos flasim për kushtet e tjera të nevojshme. Deri tani gatishmëri për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve, është treguar vetëm nga ana e mërgimtarëve të fshatit. “Edhe pse e lënë pas dore nga Ministria e Arsimit, po ashtu edhe nga Komuna e Strugës, janë prindërit, mërgimtarët dhe dashamirësit e arsimit që sado pak mundohen për përmirësimin e kushteve në shkollën fillore “Jeta e Re”. Pas donacionit që u bë nga mërgimtarët e Frëngovës për ndërrimin e dyerve të shkollës, Lulzim Lumani, mërgimtar që jeton dhe vepron në Zvicër, për herë të dytë mundohet për përmirësimin e kushteve për arsim. Ai për nxënësit e fshatit Frëngovë dhe Fierishtë dhuroi një projektor, një radio, fletore për nxënësit, mjete sportive, ku shkolla me vite të tëra ka pasur mungesë të tyre. “Kolektivi dhe drejtoria e shkollës i është falënderues dhe mirënjohës Lulzim Lumanit, për kontributin e tij për të siguruar mjete e materiale për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle dërguar deri te gazeta KOHA.

Në disa raste banorët e Frëngovës kanë përcjellë shqetësimin se shkolla e tyre është në gjendje të vështirë sa i përket kushteve që do të duhet të ofrojë një institucion normal arsimor, por deri tani ka munguar vëmendja. Frëngova gjendet në pjesën jugperëndimore të Strugës, rrëzë malit Jabllanicë, në afërsi të kufirit me Republikën e Shqipërisë. Nga qyteti i Strugës është larg 6 kilometra, banohet prej mbi dy mijë banorë, të gjithë të kombësisë shqiptare. Territori i këtij fshati posedon pyje dhe fushë për zhvillimin e bujqësisë, prandaj një pjesë e banorëve të këtij lokaliteti merren me pylltari, bujqësi dhe blegtori, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve jetojnë dhe punojnë në shtetet perëndimore.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara