Ardhja e mërgimtarëve përveç çmalljes me familjarët, do të ndihmojë edhe biznesin në Dibër. Pritet që gjatë qëndrimit të tyre në Dibër, mërgimtarët të harxhojnë qindra mijëra dollarë meqë gjatë sezonit veror – do të ketë organizimi të ndryshme familjare, investimeve në ndërtimin e shtëpive dhe banesave, organizimin të pushimeve verore, por edhe ndihma humanitare
Vjollca SADIKU
Dibër, 8 qershor – Këto ditë në Dibër arritën mërgimtarët e parë dibran që jetojnë në SHBA. Ardhja e mërgimtarëve nga Nju Jorku paralajmëron edhe ardhjen masive të mërgatës dibrane në vendlindje gjatë kësaj vere. Përfaqësues të shoqatës atdhetare “Dibra” informuan se pas zbutjes së pandemisë, sivjet pritet një ardhje masive e bashkatdhetarëve tanë në vendlindje. Në bisedën që patëm me disa nga mërgimtarë që tashmë kanë arritur në Dibër, qëndrimi në vendlindje do të jetë më së paku dy muaj. Ata thonë se dëshira e tyre ka qenë që Dibrën ta vizitojnë gjatë vitit të kaluar, por pandemia i kishte detyruar ta anulojnë ardhjen në vendlindje. Sipas tyre, tani pas zbutjes së pandemisë, nga muaji qershor e deri në muajin gusht pritet një numër i madh i mërgimtarëve të vizitojnë Dibrën.
Ardhjen masive të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara e paralajmërojnë edhe agjencitë turistike që veprojnë në Dibër. Sipas tyre, ka shumë rezervime nga Nju Jorku për në Maqedoninë e Veriut, por edhe për në aeroportet e Prishtinës dhe Tiranës. Kryetari i shoqatës atdhetare dibrane në Nju Jork, Dashi Miftari, i cili këto ditë organizoi edhe piknikun e madh të dibranëve në Nju Jork, tregon se interesimi i dibranëve për të ardhur në atdhe është i madh. “Pjesëmarrësit në piknikun tradicional të dibranëve në SHBA thanë se përgatiten për të vizituar Dibrën. Sidomos është për të theksuar fakti se edhe këtë verë – ata do të vijnë familjarisht”, tregon Miftari.
Ardhja e mërgimtarëve përveç çmalljes me familjarët, do të ndihmojë edhe biznesin në Dibër. Pritet që gjatë qëndrimit të tyre në Dibër, mërgimtarët të harxhojnë qindra mijëra dollarë meqë gjatë sezonit veror – do të ketë organizimi të ndryshme familjare, investimeve në ndërtimin e shtëpive dhe banesave, organizimin të pushimeve verore, por edhe ndihma humanitare. “Lehtësimi i masave kundër pandemisë Kovid 19 jep një shpresë të fuqishme për të kaluar një verë të kënaqshme në Dibër”, thonë nga shoqata atdhetare dibrane në Nju Jork. Në Dibër kanë arritur edhe mërgimtarët që jetojnë dhe punojnë në shtetet evropiane siç janë Italia, Gjermania, Zvicra, shtet e Beneluksit dhe ato Skandinave. Edhe ata pa dyshim se do të ringjallin rrjetin tregtar dhe rrjetin shërbyes në qytet. (koha.mk)