Gjatë vitit që kaloi, në Dibër u ndërtuan dhe ishin në fazën e ndërtimit mbi 100 banesa kolektive. Deri tani, këtë vit nga pushteti vendor i Dibrës janë dhënë leje për ndërtim edhe të tre ndërtesave kolektive me mbi 60 banesa. Blerësit janë kryesisht mërgimtarë, të cilët thonë se më pak punë dhe kujdes kanë banesat sesa shtëpitë individuale
Vjollca SADIKU
Dibër, 22 janar – Në Dibër ka një interesim të madh për ndërtimin e banesave kolektive nga ana e investitorëve. Vet fakti që viteve të fundit çmimet e banesave janë shumë më të larta në krahasim me çmimet e shtëpive individuale, tregojnë se interesimi për blerjen e banesave në ndërtesat kolektive është në rritje e sipër. Në këtë drejtim, ndikim drejtpërdrejt kanë mërgimtarët të cilët në vendlindje blejnë banesa dhe jo shtëpi.
Gjatë vitit që kaloi, në Dibër u ndërtuan dhe ishin në fazën e ndërtimit mbi 100 banesa kolektive. Deri tani, këtë vit nga pushteti vendor i Dibrës janë dhënë leje për ndërtim edhe të tre ndërtesave kolektive me mbi 60 banesa. Në bisedën që patëm me kryeshefin të sektorit për urbanizëm në Komunën e Dibrës, Petrit Paçuku, u informuam se pritet që gjatë këtij viti të vazhdojë interesimi i investitorëve për ndërtimin e ndërtesave kolektive. “Aktualisht janë dhënë tre leje për investitorë lokal, të cilët do të ndërtojnë ndërtesa kolektive në rrugën kryesore të qytetit. Ka paralajmërime edhe në disa pjesë të tjera të qytetit për ndërtimin e banesave kolektive. Interesimi kryesor për të blerë banesa është tek mërgimtarët dibran që jetojnë në SHBA dhe në shtetet evropiane”, thotë për gazetën KOHA, Paçuku, ndërsa shton se 1 metër katror në banesat kolektive shitet nga 500 deri më 700 euro, varësisht nga vendi i ndërtesës, por edhe karakteristikat tjera që kanë banesat. Investitorët theksojnë se ka leverdi në Dibër kompanitë të merren me ndërtimin e banesave. Sipas tyre, në kontinuitet kërkesat për blerjen e banesave janë më të mëdha se blerja e shtëpive individuale. Mesatarisht çmimi i shtëpive individuale në Dibër varion nga 25 mijë deri më 80 mijë euro për shtëpi, të cilat me të vërtet janë të ndërtuara me materiale ndërtimi me kualitet të lart dhe posedojnë hapësira të mëdha.
Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, pohon se kohëve të fundit – me sukses funksionojnë bizneset të kompanive që merren me ndërtimin të banesave kolektive. Pushteti vendor, sipas tij, jep leje ndërtimi në përputhje me ligjin. Gjatë sezonit veror, në Dibër gjatë vitit që kaloi janë shitur mbi 50 banesa që kanë qenë të ndërtuara ose kanë qenë në fazë të ndërtimit, theksojnë disa nga investitorët. Blerësit e banesave kryesisht mërgimtarë, por jo vetëm ata – thonë se në aspektin e sigurisë, banesat në ndërtesat kolektive janë më të volitshme dhe kërkojnë më pak kujdes.
Deri sa në kohën e monizmit, kur u ndërtuan 15 banesa kolektive, lokacione për ndërtimin e banesave kishte vetëm në vendbanimin “Venec 1” dhe në qendër të qytetit, ndërkohë që në sistemin pluralist, nga pushteti vendor vazhdoi dhëna e lejeve për ndërtim në rrugën qendrore “8 shtatori”, më pastaj në afërsi të Spitalit, si dhe rrugëve në dalje nga qyteti për në Banjisht dhe Strugë. Kohëve të fundit janë ndërtuar banesa kolektive edhe në disa pjesë të tjera të qytetit. Duke marrë parasysh se pjesa dërmuese e banesave janë në pronësi të mërgimtarëve, këto banesa “hapin dyert” vetëm gjatë sezonit veror kur ata vizitojnë vendlindjen. (koha.mk)