Vjollca SADIKU
Dibër, 4 gusht – Stina e verës është shumë e mirëseardhur për shumë çka. Pos që qyteti i Dibrës merr një gjallëri, por edhe biznesi dibran merr “infuzionin” për të mbijetuar edhe gjatë tërë vitit. Xhiroja tregtare trefishohet, restorantet dhe hotelet janë përplot, gjithçka lëvizën ashtu siç duhet, shkruan gazeta KOHA. Por, është e theksuar edhe shërbimet dentale që janë shumë të kërkuara nga ana e mërgimtarëve, që pos pushimeve realizojnë edhe rregullimin e dhëmbëve të tyre me çmime tejet të levërdishme në krahasim me vendet ku ata jetojnë dhe punojnë.
Një numër i madh i mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë në shtetet e Bashkimit Europian, por edhe nga Amerika kohëve të fundit shfrytëzojnë për mirëmbajtjen e dhëmbëve të tyre dentistët dibran. Edhe këtë verë, ata pothuajse kanë pushtuar disa nga dentistët lokal, ku përveç mirëmbajtjes së dhëmbëve, u ofrohen edhe vendosjen e protezave dhe shërbimeve të tjera dentale. Sipas mërgimtarëve, të cilët aktualisht kanë ardhur në Dibër dhe janë duke shfrytëzuar shërbimet dentale, bëhet fjalë për një gjest që ndërlidhet me interesin ekonomik. Ata thonë se shërbimet këtu janë shumë fish më të ulëta në krahasim me shtetet, siç janë Italia, Zvicra, Gjermania, Austria, por edhe SHBA-ja. Ka mërgimtarë të cilët enkas gjatë një viti vijnë në Dibër për rregullimin e dhëmbëve të tyre. Këtu, një dhëmb porcelani vendoset për 30-50 euro, kurse në shtetet e Unionit Evropian, në të cilët punojnë dhe jetojnë mërgimtar nga Dibra ky shërbim kushton mbi 600 euro. E njëjta vlen edhe për shërbimet dentale në SHBA, ku vendosja e një dhëmbi nga porcelani i kalon mbi 1 mijë dollarë. Të dhënat jo zyrtare thonë se çdo i treti mërgimtar i moshuar nga Dibra përcaktohet që shërbimet dentale, sidomos kur bëhet fjalë për vendosjen e dhëmbëve nga porcelani dhe silikoni t’i marrin në Dibër. Pronarët e ordinancave dentale, duke marrë parasysh problemet sociale që kanë qytetarët e Dibrës, me padurim presin prezencën të mërgimtarëve e sidomos të atyre që vijnë enkas në vendlindje për rregullimin të dhëmbëve. Në disa ordinanca dentare ka rezervime të shumta për dhënien e shërbimeve në fjalë.
Kur jemi tek shërbimet dentale, ka mërgimtarë dibran të cilët shpesh herë për nevojat e tyre dentale shërbimet i kërkojnë edhe në ordinanca të njohura të dentistëve nga Tetova, Gostivari, Kumanova, Struga dhe Shkupi. (koha.mk)