Tetovë, 8 korrik – Me donacion të mërgimtarëve në oborrin e shkollës fillore “Përparimi” dhe te Posta në Reçicën e Madhe të Tetovës janë formuar kënde për lojëra të fëmijëve në vende të hapura. Luhatëset, rrëshqitëset e fëmijëve dhe lojërat e ngjashme i kanë blerë njerëz nga Reçica e Madhe e Tetovës të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër.
Ata kanë grumbulluar para dhe i kanë blerë pajisjet për zbavitje të fëmijëve të cilët pastaj në koordinim me bashkësinë lokale dhe shkollën është vendosur që të vendosen në oborrin e shkollës dhe në një lokacion në afërsi të Postës në Reçicë të Madhe, me qëllim që të jenë në dispozicion për të gjithë fëmijët në vend.
“Erdhën mërgimtarët dhe na thanë se dëshirojnë të formojnë një kënd lojërash në hapësirë të hapur. Ne vetëm ua përcaktuam vendin për vendosjen e tyre. Ata vetë i blenë dhe i vendosën, kështu që nuk kemi informacion se sa kushton donacioni. Megjithatë jemi shumë falënderues që nxënësit tanë do të kenë se ku të zbaviten. Shpresoj se edhe nxënësit gjithashtu do të dinë të çmojnë donacionin dhe se do të mundohen t’i ruajnë rekuizitat”, deklaroi Naser Nuhija, drejtor i shkollës fillore “Përparimi”.
Në shkollën “Përparimi” këtë vit shkollor nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë kanë përfunduar gjithsej 673 nxënës. Për vitin e ardhshëm shkollor janë regjistruar 80 filloristë në tri paralele.(koha.mk)