Ai ka këngë mjaft të pëlqyera që grumbullojnë miliona klikime, por edhe hite të cilat të kënduara vetëm apo edhe me artistë të tjerë janë shumë të dëgjuara. Ky është këngëtari Mërgim Mjeku, i cili vjen në një rrëfim për gazetën tonë në një kohë kur ai është mjaft i angazhuar nëpër mbrëmje dhe sidomos në dasma, madje siç ai vetë na tregon dy vite më herët duhet ta rezervoni. Artisti në këtë intervistë për InfraRed të gazetës KOHA tregon edhe për bashkëpunëtorët pa veçuar emra, për mbështetjen e madhe që ka nga familja, për trashëgiminë e muzikës folklorike, pa lënë anash zhanret e kohës që i ka sjellë në zërin e tij duke ju përshtatur mjaft mirë dhe duke qenë një prej artistëve meshkuj më të pëlqyer të estradës shqiptare.
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si e kalon Mërgimi? Shumë angazhime e shumë projekte si po ecin?
Mërgimi kalon një ditë të stërmbushur me angazhime. Projekte, punë, mbrëmje, ahengje etj etj, të cilat po ecin mjaft mirë.
KOHA: Je përkushtuar vetëm muzikën duke qenë kudo i kërkuar, apo edhe punon si më parë?
Natyrisht unë kam biznesin tim, i cili do përkushtim, por muzika është pjesë e pandashme e jetës sime, prandaj edhe muzikës i përkushtohem shumë.
KOHA: Ti i bie mirë çiftelisë, por shumë bukur dhe në zhanre të tjera ku je më sigurt?
Unë jam rritur me muzikën folklorike, të cilën e kam të trashëguar prej babait, kështu që ne si familje ende e mbajmë anën tradicionale, e nganjëherë për relaks i bie edhe çiftelisë. Zhanret mundohet t’ia përshtati kohës dhe ato që mua më përshtaten!
KOHA: Ke pasur disa bashkëpunime cilin do të veçoje?
Kam pasur bashkëpunime me producentë, tekstshkrues e muzicientë të ndryshëm nga të gjitha trevat shqiptare dhe joshqiptare.
KOHA: E me kë do të jetë bashkëpunimi i radhës? Ke një artiste që do të doje gjithmonë të këndoje me të, po një apo disa që nuk do të doje kurrë të këndoje?
Kam oferta të mëdha për bashkëpunime, por pa dashur t’i ndaj ata me të cilët kisha dashtë apo s’kisha dashtë, mendoj që aty ku më përgjigjet kënga dhe muzika bashkëpunoj pa problem.
KOHA: Ne e dimë që ti ke krijuar familjen tënde, të mbështet bashkëshortja në muzikë?
Familja ime në përgjithësi janë mbështetës dhe dua tu falënderohem përzemërsisht.
KOHA: A është një person që po të mos ishte ai apo mbështetja e tij kurrë nuk do të ishe këtu ku je?
Është pothuajse përgjigjja paraprake, domethënë familja në përgjithësi është mbështetësja më e madhe dhe shokët e ngushtë, e natyrisht edhe ata të cilët punojnë për suksesin tim.
KOHA: Vera të sjell në Kosovë vetëm për punë apo edhe për qejf?
Ashtu edhe si për shumë këngëtarë të tjerë, edhe për mua vera është e ngarkuar me ahengje e ndeja të ndryshme.
KOHA: Kanë nisur dasmat dhe ku je më shumë i ftuar?
Dasmat qysh 2 vite përpara fillojnë të rezervohen.
KOHA: Para dasmave apo pas sezonit merr për vete pushime?
Pushime mundohem në kohët ku nuk janë kohë afër festave, dasmave e projekteve, por zakonisht bëj pushime të shkurta.