Me gjasë, nëse nuk është luajtur loja “polic i mirë, polic i keq”, presidenti francez ishte lojtari kryesor që e ndaloi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Arsyetimi logjik i tij ishte se si do t’ia shpjegonte popullit francez se shtete që kanë vërshime azilantësh janë të gatshme për ta vazhduar procesin e anëtarësimit në UE
Nga Festim POLLOZHANI
Nathalie dhe Laura janë dy vajza franceze që i njoha verën që kaloi, njëra nga Reims (qyteti ku prodhohet shampanja franceze) dhe tjetra nga Strasburgu (qendër e rëndësishme institucionale e UE). Mendoja se francezët janë popull me kërkesa të një niveli tjetër, popull snob (në kuptimin e mirë të fjalës) dhe u vërtetova se ashtu janë vërtetë. Popull që kritikojnë qeverinë e tyre për çdo devijim, qoftë ai social, kulturor, ekonomik ose politik. Franca e revolucioneve, Franca – njëra nga shtetet themeluese të atij që sot quhet Union Evropian. Ata, francezët snob dhe të lazdruar nga aristokracia që i ka karakterizuar ndër shekuj, nuk përtojnë ti veshin jelekët e verdhë dhe të protestojnë, sa herë që ndihen të anashkaluar nga qeveritë përkatëse.
Një gjë është e sigurt, askush nuk mund tu imponojë francezëve një vlerë të cilën ata vetë e kanë krijuar. Dua të them se francezët nuk impresionohen nëse dikush mban çantë Louis Vuitton, nëse dikush vishet me kostume të shtrenjta Dior të kombinuara me këmisha Pierre Cardin, i lyer me parfum Kenzo dhe krem L’Oreal në një gala mbrëmje ku shërbehet shampanjë e shtrenjtë e cila prodhohet në Reims, në Francë sigurisht.
Aq më tepër nuk i impresionojnë këto gjëra nëse promovohen nga udhëheqësit politikë të Ballkanit, ku stili dhe vlerat që ata mundohen të promovojnë para francezëve, lexo evropianëve, nuk përputhen me gjendjen ekonomike, sociale dhe kulturore në shtetet që politikanët përkatës e udhëheqin politikën. Nëse funksionimi i institucioneve në këto shtete, besueshmëria e atyre institucioneve, nisur nga ato legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore nuk është e përafërt me atë të institucioneve të Unionit Evropian, atëherë Evropa politike ka të drejtë të vendosë kushte të cilat duhet të realizohen në etapat e anëtarësimit, sepse anëtarësimi në Union Evropian është një proces shumë dimensional dhe jo një fontanë dëshirash, pa dashur ta banalizoj.
Atëherë, nëse gjykimi është objektiv, a janë të gatshme shtetet e Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për ta vazhduar procesin e anëtarësimit, lexo hapjen e negociatave për anëtarësim?! Francezët thanë jo. Në Strasburg ndodhen dy institucione të rëndësishme të Unionit Evropian: Parlamenti Evropian dhe Ombudsmani (avokati i popullit). Një krahasim i thjeshtë, a ka ndonjë deputet në parlamenitn evropian me të kaluar të dyshimtë kriminale dhe jo vetëm kriminale?! A ka përfaqësues politik në këtë institucion që ka çështje të hapur gjyqësore, ose që ndiqet penalisht nga prokuroria?! A ka pjesëtar të këtij institucioni që është pasuruar në mënyrë magjike brenda një mandati, me fitime të padeklaruara?!
Nëse e bëjmë krahasimin e Ombudsmanit evropian me ombudsmanët në shtetet e përmendura, që ishin kandidatë potencialë për hapjen e negociatave, cili do të ishte rezultati?! Në të dyja shtetet u inicua reformimi gjyqësor, që me gjasë do ta pastronte skenën politike nga politikanët ose funksionarët e korruptuar, në sa raste ndodhi kjo gjë?!
Askush nuk mund të përzihet në punën e gjyqësorit sepse në gjithë botën sektori gjyqësor është i pavarur ose ashtu duhet të jetë, por deklarata e një deputeti në Bundestagun gjerman, në lidhje me gjykimin e ish ministrit të brendshëm shqiptar ishte: “nuk mund të na hidhni hi syve me këto gjykime”, gjë që flet edhe për reformimin në këtë aspekt. A vlen e njëjta edhe për Maqedoninë e Veriut me episode me persona që mbanin çanta Louis Vuitton, që me gjasë e kanë diskredituar dhe ja kanë zbehur besueshmërinë sistemit gjyqësor?! Duhet gjykuar drejtë kjo punë.
Një vlerë e UE është edhe përdorimi i gjuhëve të ndryshme dhe respektimi institucional i secilës prej tyre. Nisur nga prolongimi i zbatimit të gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, a vjen në shprehje thënia: “Nëse gjuha ime amtare po shkund themelet tuaja shtetërore, me siguri do të thotë që e ndërtuat shtetin tuaj në tokën time”?! Janë tema mbi të cilat duhet reflektuar.
Me gjasë, nëse nuk është luajtur loja “polic i mirë, polic i keq”, presidenti francez ishte lojtari kryesor që e ndaloi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Arsyetimi logjik i tij ishte se si do t’ia shpjegonte popullit francez se shtete që kanë vërshime azilantësh janë të gatshme për ta vazhduar procesin e anëtarësimit në UE. E vërteta është se hapja e negociatave është proces i pakthyeshëm, një proces i cili më shumë se i obligon shtetet kandidate, e vë në sprovë racionalitetin dhe seriozitetin e Unionit Evropian.
Nuk është patjetër që procesi i anëtarësimit të shteteve në Union Evropian të udhëhiqet nga politikanë, ose personalitete që kanë njohuri profesionale për funksionimin e Unionit Evropian si një mozaik ku njëra pjesë lidhet me tjetrën dhe detyrimisht duhet të përshtaten. Por nëse kjo gjë është e nevojshme jam i bindur se në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut ka profesionistë të kësaj lëmie të cilëve nuk u jepet hapësirë. Ashtu siç e di se Unioni Evropian nganjëherë vendos për anëtarësime të reja në bazë të interesave politike më shumë se në bazë të vlerësimit të standardeve, mund të veprojë edhe anasjelltas. Prandaj duhet të vlerësojmë a e meritojmë vërtetë shampanjën franceze, dhe a janë institucionet funksionale po aq sa ato të Evropës politike. (koha.mk)