25 vjet në skenë, mjaft e dashur nga të gjithë, ka plot hite të cilat nëse do t’i kujtonim do të harronin ndoshta ndonjë që për vetë artisten nuk i ndan dot se cila është më e mira. Kjo është këngëtarja Mera Zymeri, e lindur dhe e rritur jashtë Kosovës, por me zemër e me këngët më të bukura kushtuar origjinës së saj, si dhe me një të folur mjaft të bukur të gjuhës shqipe. Për më tepër lexoni më poshtë intervistën me Mera Zymeri dhënë për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Thuhet se ju e keni kënduar më bukur këngën për Flamurin?
Çka është mirë është e mirë. Kënga është e qëlluar si me tekst, si me melodi e si me këndim, gjithë faktorët në nivel. Dhe çka është më e rëndësishme që është pranuar nga populli, këndohet nëpër festa dhe tubime të ndryshme. Jam shumë e lumtur që ja arrita qëllimin dhe dëshirën.
KOHA: E kënga më e bukur e më e dashur për ju që e keni kënduar cila është?
Nuk i dalloj këngët. Gjitha këngët që unë i këndoj mundohem të jetë secila më e mirë se tjetra.
KOHA: Zakonisht artistët bëjnë dhurata për fansat ndonjë këngë në fundvit po juve?
Dhurata e fundvitit është kënga “Dashnia jeme“, me tekst nga Kreshnik Avdiu dhe orkestrim të Virusit, e melodinë e krijova unë. Shpresoj se do të pëlqehet dhe është këngë popullore me frymë moderne.
KOHA: Ka shumë potpuri këtë fundvit mes artistëve, ju i ndiqni ato dhe si ju duken?
Qefi njeriut është i ndryshëm. Ka disa bashkëpunime të mira dhe disa për mendimin tim nuk janë të pëlqyera. Çka nuk është e lëvdueshme, sivjet ka shumë pak këngë të reja. Këto kritika i dëgjoj edhe nga dëgjuesit. Po ashtu edhe sillen të njëjtat këngë dhe fytyrat janë të njëjta.
KOHA: Po juve vetë nuk ju pëlqen të jeni në këto potpuri? Po me duete do të shohim?
Me mu afru një ofertë e mirë dhe e qëlluar pse jo, qoftë për potpuri ashtu edhe për duet.
KOHA: Vazhdon bashkëshorti të jetë menaxheri juaj?
Po, Afrimi është menaxheri, po kuptohet në bashkëkonsultim me mua gjithmonë.
KOHA: Po djali po e trashëgon muzikën?
Kemi një djalë i cili është shumë i talentuar, por zemra i rreh për futbollin. Dhe me shumë dëshirë ne e përkrahim.
KOHA: A ka Mera një mike të ngushtë nga estrada?
Miq kam, por janë vetëm miq të muzikës. Kam respekt për gjithë estradën. Edhe pse ka të tillë që e shohin veten në qiell, çka për mendimin tim është e kotë. Ka faktor të tjerë në jetë që kanë shumë më shume vlerë se sa fama dhe afirmimi. Kush injoron – injoron më së pari vetveten.
KOHA: Ku do të jeni për festat e fundvitit?
Kam pas ftesa nga anembanë botës të jem prezente. Faleminderit shumë të gjithë organizatorëve që kanë shpreh interesimin e tyre. Unë kam vendos të jem bashkë me familjen time. E pas Vitit të Ri filloj me dasma, për festën e Pavarësisë do të jem në Austri, për 8 Mars në Gjermani.