Katër shqiptarë të vrarë në 10 ditë në Greqi, përbëjnë një bilanc të rëndë që ka shqetësuar Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në një reagim për vrasjet, MEPJ kërkon që të mos vonohet zbardhja e këtyre ngjarjeve dhe të frenohen përpjekjet e Agimit të Artë apo segmenteve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Duke ju referuar vrasjes së 18-vjeçarit Marios Isa në Kavalla, MEPJ i shpreh “ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të tij” dhe thekson se Ambasada në Athinë është në kontakt me familjen e tij për ofrimin e asistencës së nevojshme.
“Kjo është vrasja e katërt e një qytetari shqiptar brenda dy javëve të fundit. MEPJ shpreh shqetësimin për serinë e vrasjes së shqiptarëve në Greqi përgjatë dy javëve të fundit. MEPJ shpreh indinjatën e thellë për humbjen e jetëve të bashkëkombasve tanë, ndjenja këto që thellohen nga vonesat në zbardhjen e këtyre ngjarjeve nga autoritetet greke. MEPJ dënon ashpër sfondin e ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes që ka shoqëruar këto ngjarje në vendin fqinj dhe i bën thirrje autoriteteve greke për dënimin dhe vënien fre të çfarëdo përpjekjeje të Agimit të Artë apo segmentëve të tjera ekstremiste për të cënuar sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve që punojnë e kontribuojnë në vendin fqinj”, thuhet në deklaratën e MEPJ.
Nga Tirana zyrtare theksohet gjithashtu se nuk do të pranohen kurrsesi “thirrjet ksenofobe në kanalet e komunikimit dhe as viktimizimi patetik e nacionalist i ndonjërit syresh që nuk lë rast pa sulmuar Shqipërinë në instancat evropiane”.
“Në kushtet kur bashkëkombasit tanë po ndjejnë trysninë e një fushate të pashpallur urrejtjeje dhe dhune, MEPJ shpreh angazhimin e Shtetit shqiptar për t’i dhënë viktimave dhe familjeve të tyre mbështetjen e nevojshme ligjore dhe financiare për të mbrojtur të drejtat e tyre themelore, si pjesëtarë të komunitetit më të madh evropian që jeton, studion dhe kontribuon prej dekadash ne Greqi”, thekson MEPJ.