Zejnulla VESELI
Shkup, 13 mars – Dëmet e shkaktuara pas vërshimeve dhe tërmeteve në 3 vitet e fundit në Maqedoni, ende mbeten të pambuluara financiarisht nga kompanive të sigurimeve.
Këtë situatë më së miri e sqaron Saimir Dhamo drejtor i kompanisë së sigurimeve “SIGAL Uniqa Austria”, sipas të cilit, edhe përkundër sfidave të shumta që po ballafaqohen qytetarët e Maqedonisë nga katastrofat natyrale që po ndodhin këto tre vitet e fundit, banorët ende veprojnë në bazë të mentalitetit se nuk duhet te jepen para për sigurimin e pronës ndaj çfarëdo lloji tjetër të fatkeqësive të mundshme, shkruan gazeta KOHA.
“Nuk është vetëm mentaliteti, arsyeja se pse qytetarët Maqedonisë nuk sigurojnë pronat e tyre. Arsyeja e parë është se shteti gjithmonë pas ndodhjes së këtyre fatkeqësive natyrore i subvencionon qytetarët për dëmet që u shkaktohen nga vërshimet përmbytjet, djegiet apo tërmetet. Arsyeja e dytë, që ndoshta është edhe kryesorja se pse qytetarët nuk sigurojnë pronat e është numri i madh i banorëve të varfër që ka Maqedonia. Mu këtu është dhe absurdi sepse qytetari i thjeshte ende nuk e ka të qartë se kompanitë e sigurimeve punojnë pikërisht për njerëzit e varfër e jo për të pasurit. Sepse ai që është i pasur nuk shqetësohet edhe aq shumë nëse i digjet shtëpia apo i ndodhë ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore sepse ai ka para dhe është në gjendje që individualisht të mbulojë dëmet e shkaktuara ndaj pronës së tij, Mirëpo nëse dëme pëson një qytetarë i varfër atëherë vështirësitë janë të shumta që ai do të mund të mbulon dëmet e shkaktuara nëse nuk e ka siguruar pronën”, thotë Dhamo.
Ajo që duhet ndryshuar në tregun e sigurimeve, sipas Dhamos, është ndryshimi i domosdoshëm mentaliteti i rritjes së ndërgjegjes së qytetarëve dhe të kuptojnë se kompanitë e sigurime janë industri e mbrojtjes së interesave të tyre financiare dhe se në këtë drejtim rol të madh mund të luaj edhe shteti duke krijuar një skemë të re sigurimesh në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve.
“Shteti duhet të krijon një skemë të atillë që qytetarët të paguajnë prime të sigurimeve dhe kështu të formon nj fond sigurimesh që më pas të mund nga fondi i siguruar të paguhen të gjitha demet që do të shkaktohen qofshin përmbytje, djegie, vërshimeve apo tërmeteve. Pra kjo e bën të domosdoshëm zhvillimin e kulturës dhe legjislacionit për sigurimet. Ndërtimi i një strategjie të saktë për sigurimet nuk duhet të jetë për të rritur formalisht tregun, por një strategjie mbrojtjeje financiare të interesave të qytetarëve. Edukimi i publikut si nga ana e kompanive të sigurimit dhe shtetit është mënyra e vetme për të ndryshuar në vijimësi kulturën e pakët të qytetarëve që kanë ndaj kompanive të sigurimit”, thotë Dhamo.
Sipas tij, në këtë drejtim kompanitë e sigurimit duhet të jenë më të përgjegjshme për të mbrojtur interesat e tyre financiare të qytetarëve sepse vetëm kështu qytetarët do të bëhen më të pavarur nga shteti dhe strukturat e saj.
“Qytetarët duhet të ndryshojnë mentalitetin se shteti duhet të kujdeset dhe në këtë drejtim individualisht nuk duhet bërë asgjë, edhe për biznesin, edhe për jetën, edhe për shtëpinë, edhe për shkollën, edhe për bukën, edhe për ujin. Është më se e nevojshme të kuptohet se qytetarët e Maqedonisë jetojnë në një sistem ku individi duhet të jetë i pavarur dhe i mbrojtur financiarisht nga çdo gjë, dhe këtë mbrojtje e bëjnë vetëm kompanitë e sigurimeve”, thotë Saimir Dhamo, drejtor i kompanisë lider në Maqedoni për sigurime “SIGAL Uniqa Austria”. (koha.mk)