I keni vërejt komunikatat që vijnë prej disa profesorëve dhe akademikëve tanë (kur nuk janë në pushime veror), se çfarë “nasihati” del prej fjalive të tyre dhe krejt në fund mbetesh pa përgjigjen kryesore: Çka më tutje? Edukimi që prodhon eklektizëm mendimesh, pa një orientim të qartë, është më mirë të pushojë së krijuari iluzionin e rrejshëm se gjoja kemi potencial intelektual e akademik
Nga Emin AZEMI
Tani kur dëgjojmë Hashim Thaçin teksa flet për ndryshim kufijsh në Ballkan, të krijohet përshtypja sikur po bëhet fjalë për një rrëfim që vjen pasi e kemi shikuar një film horror dhe secili në psikikën e tij krijon parabolat e rrezikshmërisë. Por, në fakt, nëse del ajo çka po thotë Hashimi, horrori mund të ndodhë, ndërkohë që askush s’po e merr seriozisht rrezikshmërinë e pasojave që mund të sjellë ky film i montuar keq në laboratorët e Parisit a Beogradit. Mundësia për të bërë analiza është shumë e madhe, por variabiliteti i vërtetësisë sillet nga – 0 në + 0.
Shqiptarët në Ballkan nuk arritën ta ngrejnë një Institut të hairit për të marrë vesh se çka do të ndodhë me ta në të ardhmen, siç e kanë popujt tjerë dhe, për pasojë, ne jemi të detyruar të dëgjojmë turli autori se si na e rrëfen fatin tonë, paçka se këto rrëfime mund të jenë të mbushura më shumë me nebuloza se sa më ndonjë tharm të mirëfilltë studimi. Me këto universitete që vazhdojmë ti trajtojmë si ofiçina për fotokopjim diplomash (çdo respekt për përjashtimet), nuk mund të ndërtojmë kurrfarë projeksioni shkencor për rrethanat në të cilat lëviz gjallimi ynë ekzistencial, social, politik e kulturor. Derisa ta marrin vesh universitetet dhe akademitë tona se çka po ndodhë me pasojat që sjell, bie fjala, ndryshimi i kufijve,neve na ka hëngër ujku me tesha vesh. Jo pse tani ndodhemi në kulmin e pushimeve verore dhe ndokush mund të arsyetohet duke e paraqitur rrezitjen në diell si hendikep i një mospërgjigje akademike mbi atë çka po ndodhë rreth nesh, por edhe sikur të ishim në çfarëdo stine tjetër, mendimi ynë shkencor e studimor ndodhet në njëfarë “menopauze trunore” dhe askush s’e di se kur do të kenë “marrëdhënie të rregullta” dija dhe politika, emocionet dhe pragma.
Nëse e ndjekim me vëmendje debatin rreth “ndryshimit të kufijve” që do të sillte njëfarë shkëmbimi territoresh, do të vërejmë se shqiptarët më shumë e kanë inatin ndaj njëri tjetrit, duke hedhur akuza reciproke, se sa që kanë ndonjë qëndrim të strukturuar shkencërisht e institucionalisht, i cili do të merrej si bazë negocimi për ndonjë zgjidhje eventuale, që mund të jetë e dhimbshme. Tek shqiptarët po preferohet dhimbja të jetë titanike, e përqendruar në dy, tre burra shtetesh, kurse pasojat të jenë kolektive, por pa kurrfarë mundësie për kërkim përgjegjësie për dështimet eventuale në të ardhmen.
Pra, merre si ta marrësh, për të kuptuar më thellë se çka po ndodhë me ne, duhesh ta lexosh ose shtypin europian, ose ndonjë analist amerikan, sepse pushimet verore na kanë nxjerrë prej taktit dhe s’po mundemi të bëjmë bashkë dy kokrra mend për të shprehur një qëndrim sagllamë. I keni vërejt komunikatat që vijnë prej disa profesorëve dhe akademikëve tanë (kur nuk janë në pushime veror), se çfarë “nasihati” del prej fjalive të tyre dhe krejt në fund mbetesh pa përgjigjen kryesore: Çka më tutje? Edukimi që prodhon eklektizëm mendimesh, pa një orientim të qartë, është më mirë të pushojë së krijuari iluzionin e rrejshëm se gjoja kemi potencial intelektual e akademik.
Çka do të në hynte në punë konsulenca e vonuar shkencore, nëse dëmet e politikës së keqe janë të pariparueshme? (koha.mk)