Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Meduh Thaçi, ka thënë se kombi shqiptar duhet t’i mbrojë figurat e luftës së UÇK-së nga nxirja dhe njollosja e akuzave të paqena.
“Insistimi im për të qenë shumë të kujdesshëm ndaj figurave të luftës nuk ka të bëjë me çështje individuale. Mendoj se figurat që kanë dalë prej luftës, pa marrë parasysh a kanë qenë drejtues të luftës apo drejtues politikë ose edhe komandantë, ne si komb duhet të jemi shumë të kujdesshëm që t’i mbrojmë nga nxirja”.
“Ato figura për gjeneratat e reja duhet të funksionojnë si satisfaksion i sakrificave të mëdha për interesin gjithëkombëtar”.
“Kohët e fundit pozicionet e mia me presidentin e Kosovës apo kryeministri shpeshherë keqinterpretohen si tentim për mbrojtje personale. Ndoshta duket subjektive, por të jeni të sigurt se jam shumë i sinqertë në këtë drejtim”.
Thaçi në Zona B të Klan Kosovës tha se këto akuza janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen nga Serbia për njollosjen e drejtuesve të luftës, transmeton Koha.mk
“Kur i shoh disa figura se në çfarë mënyre të paskrupullt sulmojnë dhe akuzojnë drejtuesit e luftës, unë mund të them se këtë e ka bërë Serbia dhe vazhdon të bëjë”.
“Nuk ka nevojë që të nxihen këto figura dhe të akuzohen për krime të paqena. Dhe emrat e këtyre janë në top listat e shërbimit sekret serb që në të gjitha mënyrat të nxihen këto figurat e luftës”.
“Aq shumë është duke u dhënë zor ndaj nxirjes së drejtuesve të luftës së Kosovës. Më duket se kam harruar kur kam dëgjuar në një debat shqiptar, sidomos në Shqipëri, të përmendet se Vuçiqi është një bashkëkriminel i drejtpërdrejtë i Millosheviqit. Kjo ka filluar të harrohet në debatet shqiptare. Më tepër po ngrihen akuza të panevojshme dhe të padobishme”. (koha.mk)