Kryeministri Rama javën që vjen do jetë në Shkup, në një forum ekonomik (sipas paralajmërimeve) dhe mesazhet e tij këto duhet të jenë: Dy shtet që s’kanë ç’të fshehin më nga njëra-tjetra, por të hapura, si aleate që janë, të krijojnë mundësi më shumë për qytetarët e tyre. Shengeni Ballkanik nuk duhet të konsistojë më në “one stop shop”, por në ligje dhe hapa ku liria e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe ideve të jetë shtysa e zhvillimit
Nga Nazim RASHIDI
Në një studim të opinionit publik të ndërmarrë para pak kohe e të publikuar ditë më parë, rreth asaj se si shihet Marrëveshja e Prespës tre vjet pas nënshkrimit e i realizuar nga studiues nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kishte dhe një pyetje për atë se nga cilat vende ndihen të kërcënuara njerëzit në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut.
Përgjigje disi e pritshme: Nga 10 grekë të pyetur më shumë se shtatë prej tyre mendojnë se Turqia është kërcënim për ta. Për shtete e tjera të Ballkanit thuajse nuk ndjejnë kërcënim. Nga Shqipëria veç 0.5% e grekëve ndjejnë kërcënim. Më shumë se gjysma e të pyeturve në Maqedoninë e Veriut, kanë thënë se nuk ndjejnë kërcënim nga fqinjët, por ata që ndjehen të kërcënuar kanë thënë se 46% Bullgaria është kërcënim, pastaj 13 për qind Shqipëria, 8 për qind Kosova dhe 1 për qind Turqia. Siç thashë studimi i opinionit publik në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut kishte të bënte me Marrëveshjen e Prespës, por mua më bërë përshtypje kjo pyetje dhe sidomos ajo përqindja e maqedonasve që ende shqiptarët i shohin si kërcënim. Një shpjegim është se ky numër ka rënë dukshëm me atë se si janë perceptuar shqiptarët më herët, por sërish 13 përqindëshi ndaj Shqipërisë dhe 8 përqindëshi ndaj Kosovës tregon se pa pasur asnjë tension mes vendeve, madje edhe duke pasur deklarata inkurajuese, apo edhe vetë fakti se dy vendet janë aleate dhe pjesë e NATO-s, sërish perceptimet kërcënuese dhe frikërat janë aty.
Kur jemi tek deklaratat, vetëm pak ditë më parë dy Kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev nënshkruan një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve, apo siç njihet ndryshe “one stop shop”. Kjo në esencë do të thotë se kur do kalojmë kufirin mes dy vendeve do ketë vetëm një pikë kontrolli. Pa hyrë në detajet e asaj që shkruan në letër dhe kur do realizohet kjo nismë, ajo për të cilin duhet punuar më shumë është besimi i ndërsjellë. Sipas ekspertëve, që të ndodhë menaxhimi i përbashkët i kufijve vendet do të duhet të kenë akses tek të dhënat e njëra-tjetrës. Duke qenë se janë të dyja vende anëtare të NATO-s e aspirante drejt BE-së, kjo do të duhej të ishte më e lehtë. Por a është ashtu?
Zbatimi i marrëveshjeve dhe ligjeve në esencë për herë varet nga njerëzit, e nëse ne ende kemi nga ata që shohin kërcënim nga shqiptarët, kjo do të vështirësojë çdo gjë. Por kjo çështje dhe kjo pyetje sa është e rëndësishme për fqinjët, në fakt është po aq e rëndësishme edhe për vetë Maqedoninë e Veriut brenda. A kanë komunitetet besim ndaj njëra-tjetrës? Kjo dilemë ka rëndësi, sepse me vite një pjesë e maqedonasve s’po kuptojnë aq fortë lidhjet që kanë qenë e që do jenë mes shqiptarëve në rajon, por jo si kërcënim ndaj tyre. Dhe mbase as ne vetë, si shqiptarë se kemi sqaruar dot sa duhet këtë lidhje që me gjasë duket kërcënuese. Në këtë kontekst kufijtë konsiderohen mbase delikate. Për shqiptarët janë një traumë e madhe. Jo vetëm në historinë e largët, por edhe atë të afërt. Madje e edhe ajo e historisë që ne e mbajmë mend, me rënien e ish Jugosllavisë, me luftërat që përfshinë Ballkanin, Kosova, etj. Nëse shqiptarët donin ti shpërthejnë ata, sidomos edhe për shkak të instinktit të mbijetesës, sepse të qenit brenda kufijve kërcënonte jetën, kemi këndvështrimin tjetër maqedonas, që kufiri të rrinte i fortë. Ishte mbrojtës i tyre e sidomos i etnisë së tyre që arriti të bëhet me shtet.
Por tashmë jemi jashtë këtij tensioni. Shqiptarët janë prezentë në shtet dukshëm, me poste të larta dhe jo vetëm përfaqësues si zyrtarë të lartë, por mbrojtës të tij. Me më pak tensione brenda dhe me qëndrime më të përafërta për të ardhmen duhet folur për hapje kufijsh lirshëm. Qetësia ndër etnike duhet shfrytëzuar për hapje edhe më të madhe. E këtu bëjnë mirë politikanët që të flasin forët për mungesën e kërcënimeve. Për mua, që i urrej kufijtë, sepse drama ime me ta lidhet edhe për shkak të ndarjeve që ka sjellë në familje por edhe për shkak të përvojave të hidhura që më kanë lënë, në fakt duhet të hiqen fare. “Shengeni ballkanik” do të duhej të ishte realitet tashmë. Jo me deklarata boshe dhe premtime, por real ku njerzit si ata brenda BE-së të mund të udhëtonin lirshëm. Kjo gjë menjëherë do sillte edhe rënien e paragjykimeve, çka do të thoshte edhe mungesë tensioni, por do të sillte edhe mundësi më shumë. Madje mendoj se “one stop shop” është vetëm humbje kohe, sepse realiteti ynë duhet të kopjojë atë të BE-së. Dhe ka pasur përvoja të tilla edhe nga vendet evropiane. Zona Shengen në fakt erdhi si pasqyrë e një realiteti e vizioni, jo thjeshtë dëshirë e qytetarëve. Prandaj mendoj se ato përqindje të vogla që ende shohin njëri-tjetrin si kërcënim duhet të sheshohen. E kjo bëhet veç me hapje.
Kryeministri Rama javën që vjen do jetë në Shkup në një forum ekonomik (sipas paralajmërimeve), dhe mesazhet e tij këto duhet të jenë: Dy shtet që s’kanë ç’të fshehin më nga njëra-tjetra, por të hapura, si aleate që janë, të krijojnë mundësi më shumë për qytetarët e tyre.
Shengeni ballkanik nuk duhet të konsistojë më në “one stop shop”, por në ligje dhe hapa ku liria e qarkullimit të njerëzve, mallrave dhe ideve të jetë shtysa e zhvillimit. Pa diskutim që këto fjalë tingëllojnë si parulla apo dhe leksione sipërfaqësore, sepse mbase nuk thuhet edhe diçka e pa thënë ose që nuk dihet. Por fakt gjithashtu është se edhe asgjë nuk është bërë. Ose jo sa duhet. Marrëveshja për një pikë kontrolli në kufi është vetëm në letër. Mund të thonë sa të duan politikanët se ky është progresi, por realiteti është se ajo me vite do të duhej të ishte në funksion. Prandaj këto përsëritje leksionesh, kanë peshë e aq më shumë kur ecjet integruese mes dy vendeve janë thuajse të njëjta.
Ka edhe një moment tjetër, ai i prezencës shqiptare në institucione në Maqedoninë e Veriut. Janë ata që paralelisht duhet të rrëzojnë idenë e kërcënimeve etnike brena dhe të shtynë idenë e hapjes apo edhe rënies së kufijve me fqinjët. Sigurisht që do dakordoheshim lehtë, se s’kanë bërë sa duhet, por edhe në rastin e tyre, do e përsërisim se ç’duhet të bëjnë pa çka se nuk është diçka që s’dihet. Por hapja, apo dhe rënia e kufijve duhet të pranohet gjerësisht dhe pa kërcënime edhe nga maqedonasit. Edhe ky duhet të jetë një proces i brendshëm i tyre, i ndihmuar nga shqiptarët, por i kuptuar natyrshëm prej tyre.
Kur po e shkruaj këtë tekst, është duke u zhvilluar kampionati evropian i futbollit. Historike është pjesëmarrja e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut sepse ndodh për herë të parë, por historike është kjo përfaqësuese edhe për atë se numri i lojtarëve dhe prezenca shqiptare është dominante në këtë përbërje. Në fakt kjo përfaqësuese do të duhet të jetë simboli i fillimit të shembjes se ideve që sjellin kërcënim ndaj njëri-tjetrit. Shqiptarë që luajnë me zemër për Maqedoninë e Veriut dhe përpiqen ta prezantojnë atë sa më mirë, por nga ana tjetër edhe maqedonas që duhet të ndërrojnë të gjitha këngët e tifozerisë, ku jo vetëm që ka pasur vargje nacionaliste dhe njëetnike, por kanë bërë edhe brohoritje ofenduese dhe kërcënuese për shqiptarët. Ekipi i përfaqësueses reflekton Maqedoninë e Veriut, por këtë duhet ba bëjë edhe publiku edhe tifozeri, sidomos ajo maqedonase, e cila patjetër duhet të heqë nga përdorimi ofendimet. Reflektimi duhet të jetë i dyanshëm.
Kur ky ç’tensionim i brendshëm të ndodhë, kjo do reflektohet lehtë edhe me fqinjët. Heqja e mendësisë paragjykuese dhe ofenduese, do krijojë lehtë besimin, i cili besim do sjellë pa asnjë vështirësi Shengenin Ballkanik. E kur të vijë Rama në Shkup, mund të ndjekë ndeshjen e futbollit e të bëjë tifo për Maqedoninë e Veriut, edhe për shkak të shqiptarëve në ekip, edhe për shkak të fqinjësisë së mirë, por mbi të gjitha sepse do të duhet krijuar ajo mendësi, ajo mendje hapje, se arritjet dhe sfidat në rajonin tonë do jenë të përbashkëta pa idenë e kërcënimit për njëra-tjetrën.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)