Në leximin tonë kaptina e re e vetërespektit nacional është kaptina që na zhvesh nga frikërat e panevojshme, nga turpi i imponum si dogmë e nga trysnia politike për t’u vet’definu si tansi të ndara. Dëgjo, vetërespekti është altari i shqiptarit e shqiptares sot, kaq e paqt është bardhnia që përmban në vete mendja e tij!
Nga Adelina MARKU
Si do e fjalëpërshkruanim gjendjen në të cilën jemi ngjitur ne shqiptarët kudoqofshim? Ndoshta fjala “gjendje” më duket shumë cipëhollëshe në krahasim me atë që dua të përshkruaj si ngjitje e që përbëhet nga rëniet dhe ngritjet tona me vite në shekuj e megjithatë, një tentim do vazhdoj t’a bëj. Me gjasë qëllimi im ka të bëjë me bindjen time se edhe ti i/e dashur lexues/e do vazhdosh të bësh një dans mendimi në këtë drejtim. Doemos kjo imja është vetëm një kolumnë ndaj edhe kur ambicia ime sot është kaq gjithpërfshirëse, më duhet të thjeshtësoj “lakminë për të përcaktu gjendjen” duke thënë se fjalpërshkrimi lehtësisht ka të bëjë me togfjalëshin : VETËRESPEKT! Dmth, jo nevoja për vetërespekt, por pa përjashtim shqiptarët tanimë janë shtrirë në mendjen e vetërespektit!
Nevojën për vetërespekt e ka analizuar me kaq rrjedhni mendimi një mik i penës, Blerim Latifi i cili tuj analizu 6 sulme mbi identitetin shqiptar, ka shënjestru 6 ndikime – tip luhatje e dyndje, të cilat e zbraznin(in) mbushjen me vetërespekt ndër ne e tuj na dergj kësisoj në një shtrat të rayum simulakrus! Shtrat simulakrus ky teveqel në esencë, por prandaj dhe i rrezikëm! Me këtë tentim ai në fakt lyp të strukturojë mbindërtimin nga “nevoja për vetërespekt” në “ndërgjegjësim për vetërespekt”!
Së paku janë 6 sulme që i janë bërë identitetit shqiptar këtyre dy dekadave të fundit, vlerëson Blerim Latifi, e në të 6-tat unë do kisha shtu se këto sulme i kemi leju, ajrosë e bërë vetë ne, tuj qenë e tuj marrë rol vetësulmusish të identitetit ! Në diksursin e një monologu – vetësulmi e vetëkritika lypset tejkalu veten për të kapërcy e derdh në të shtrime vetërespekti, ndaj e inspiruar nga gjetjet e Blerimit dua të vlersoj se sado e rrëndë të duket kjo fazë për ne, sado me zhurmë e paqartësi, sado me arrogancë politike ose dinakëri lakonike të kallzohet, duhemi konsideru si pozicionim për monolog duke sendërtu kështu bisedën kapitale me veten tonë e sa për t’u ngjit mëtej mendimit zhvillues për veten!
Por, duhem zëru 6 gjetjet e Blerimit në këtë drejtim, sa për të më kuptuar se sa të nevojshme janë këto lexime që i shpalos ky. Ai këto 6 sulme i adreson në formë sulmesh nacionalizmit shqiptar e në këtë diskurs ky nacionalizmin nuk e lexon përmes nevojës për urrejtje ndaj tjetrit/trës, por e lidh pa përjashtim me përkatësinë identitare kulturore- nacionale, pra shqiptare! Le t’i la hapësirë gjashtshes së tij përmes së cilës ai shtreson sulmet bërë nacionalizmit shqiptar, e tek rrendit se kanë ardhur : .
- Nga publicistët “kosmopolitë” të Sorosit, të cilët i janë sulur miteve e doktrinave të nacionalizmit shqiptar, në emër të utopisë së shoqërisë së hapur globale, të cilën e financon miliarderi George Soros. Këta publicistë, në vazhdimësi, i kanë zhvilluar tezat se mitet nacionale mbi Skënderbeun, Rilindjen Kombëtare, Identitetin Kombëtar Shqiptar, janë pengesa për europianizimin dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare, duke harruar faktin se ideali europian i shqiptarëve është brenda vetë mitit nacional të Skënderbeut dhe vizionit të Rilindjes Kombëtare.
- Nga salafistët e indoktrinuar në shkollat vahabiste të Arabisë Saudite, të cilët i janë sulur nacionalizmit shqiptar, duke e quajtur atë trajtë të adhurimit dhe besnikërisë, që bie në kundërshtim me adhurimin absolutist të Allahut dhe besnikërinë ekskluzive ndaj tij. Kanë qenë të shumtë imamët e kësaj rryme të cilët hapur kanë bërë thirrje që monumentet e nacionalizmit shqiptar, siç është Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, të mos vizitohen e nderohen, sepse një gjë e tillë e shkelë parimin islam të adhurimit.
- Nga mercenarët neo-otomanë të Erdoganit, të cilët i kanë vënë vetes si detyrë, së pari, të njollosin dhe zhvlerësojnë secilën figurë e lëvizje shqiptare që i është kundërvënë Perandorisë Osmane, dhe, së dyti, të ushqejnë përpjekjet për një rishkrim të historisë shqiptare, sipas kërkesave dhe pikëpamjeve të historiografisë zyrtare turke.
- Nga snobët multikulturalistë, të cilët kanë përbrendësuar diskursin fyes të elitave politike europiane për “nacionalizmat barbarë ballkanikë”, duke harruar faktin themelor se nacionalizmi shqiptar nuk ka qenë pjesë e barbarive etnike në Ballkan, për shkak të karakterit të tij defansiv.
- Nga politikanët e korruptuar shqiptarë, andej dhe këndej kufirit, të cilët me qeverisjet e tyre të këqija kanë ndikuar që shqiptarë të ndihen keq në atdheun e tyre, e ta përjetojnë identitetin e tyre kombëtar, jo si favor, por si pengesë në realizimin e ëndërrave të tyre për jetë më të mirë.
- Nga kosovaristët naivë, të cilët besojnë se dispozitat juridike të Pakos së Ahtisarit janë ekuivalente me krijimin e një kombi kosovar, i ndryshëm nga kombi shqiptar.
Këto janë 6 gjetjet e Blerimit. A ka më shumë? Padyshim që ka e për to lypim fol’ hapur, jo për t’i gjakos tezat e për t’a eliminu njëra-tjetrën, prandaj jo sa për t’u hazdis e hazganizu e për më shumë, jo për t’u rrëndit tek arritakët e moderum që plasojnë kështu modernizmin si doktrine të mungueme ndër ne, por për t’i ulur në karrikat e mendjes sonë tani kur kemi hapur kaptinën e vetërespektit shqiptar ndër ne! Të këtilla derdhjesh intelektuale lypin ba përmes një organike të sinqertë e syçelë me qëllim që kënaqësia e gjetjeve që do nxit kjo libido e mendjes të bëjë të mundur atë që një kritik e kolumnist amerikan Henry Louis Mencken e ka shkruar gjatë shekullit 20. Ja si e përshkruan vetërespektin ky: vetërespekti është ndjenjë e sigurt se askush, megjithatë, nuk është i dyshimtë! Nërsa në leximin tonë kaptina e re e vetërespektit nacional është kaptina që na zhvesh nga frikërat e panevojshme, nga turpi i imponum si dogmë e nga trysnia politike për t’u vet’definu si tansi të ndara. Dëgjo, vetërespekti është altari i shqiptarit e shqiptares sot, kaq e paqt është bardhnia që përmban në vete mendja e tij!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)