Prerja për një zhvillim nëse kjo klasë politike e dëshiron këtë, është e thjeshtë. Mosndërhyrja në drejtësi, por jo vetëm aq. Kjo e shoqëruar me kritikën e ashpër për vendimet e ushtruesve të drejtësisë nga shoqëria, që edhe ata mos të bien në komiditetin e shprehjes së shpifur nga koha e monizmit se “rastet gjyqësore nuk komentohen”. Të gjithë krahë hapur duhet të ndjejnë peshën e pamëshirshme të vrojtimit dhe përgjegjësisë. Kështu do të mësohemi të gjithë me drejtësinë, por dhe do argumentohen vendimet edhe kritikat
Nga Nazim RASHIDI
Jo më larg se para të filloj ta shkruaj këtë tekst, në rrjetet sociale lexova një status të cilin një bir ia kushtonte prindërve të tij: Kështu thoshte statusi: “Urime prindërve të mi që zyrtarisht u bënë banues të përhershëm të Kanadasë” 9 vjet më parë premtova dhe sot kjo u bë realitet.
Nuk u dorëzova asnjëherë, u përpoqa shumë dhe nuk u ndala së besuari. Ky është një vend i mrekullueshëm për të jetuar dhe dua t’i mirëpres….”, vijoi mesazhi. Një mesazh gëzimi për familjen që me gjasë do jetojnë bashkë, por nga ana tjetër unë e përjetova si një mesazh të vështirë e që kujton një realitet të hidhur, tejet të hidhur madje. Tashmë jo vetëm që ik rinia, por ikin edhe prindërit e tyre. Ky mesazh i një miku tim virtual, i shtron pyetjet bazike dhe të rënda të realitetit tonë: Si ka mundësi që aq lehtë një vend tjetër na duket i “mrekullueshëm” dhe çfarë nuk bëhet këtu që mos të ketë kaq shumë ngazëllim për ikjen?
Për fat të keq përgjigjet do të përplasen tek politika,por më shumë tek POLITIKAT, ato që nuk ndërmerren, tek keqpërdorimet dhe më tej në thelb, tek koncepti se si shihet qeverisja, apo dhe motivet se pse njerëzit duan të merren me politikë. Perceptimi është përfitimi. Përfitimi personal. Dhe prandaj lehtësisht një djalë, gëzohet që shkul, dhe do të më falë ai dhe të tjerët që po përdor këtë fjalë, por që shkul nga vendi veten dhe familjen. Ajo që mungon është esenciale: Mirëqenia dhe drejtësia. Që lidhen ngushtë me lirinë. Nuk është që këto që i them se nuk dihen, por ajo që të habit janë mosveprimet, rëniet dhe zhgënjimet e vazhdueshme.
Winston Churchill ka thënë se të gjitha gjërat janë aq të thjeshta sa mund të shprehen me një fjalë: shpresë, dinjitet, liri, drejtësi… Dhe ja pikërisht drejtësia është në fokus në Maqedoninë e Veriut. Drejtësia e përlyer me politikën. E cila do të duhej të ushtrohej lehtësisht mbi ligjet e panumërta. Por kur vjen njeriu në pyetje dalin në sipërfaqe po aq gjëra të thjeshta, por të shëmtuara si: pangopësia, mashtrimi, gënjeshtra. Dhe në këtë thjeshtësi, a dilet dot nga vorbulla? Maqedonia e Veriut kaloi një periudhë serioze dhjetëvjeçare me sfida ndaj drejtësisë kur kryeministër ishte Nikolla Gruevski.
Dy vjet pas qeverisjes së re, me në krye Zoran Zaevin, erdhi grushti tjetër, knok down-i i pa pritur. Njeriu që duhej të sillte shpresë, e fundosi atë. Sot Katica Janeva, nuk është as prokurore speciale, as prokurore e zakonshme. Është në paraburgim. Por po aq e burgosur është dhe shpresa. Kur dëgjon politikën, ka shumë përplasje se si duhet të shkohet më tej, ka frikë dhe mosbesim ndaj njëri- tjetrit dhe ka aq shumë mungesë dëshire për të prerë të kaluarën e ngarkuar me interesa e keqbërje, për të shkuar përpara. Pyetja rrjedh natyrshëm, a bën dot kjo klasë politike prerjen e dëshiruar, nga logjika se si shihet pushteti, ku drejtësia të lihet e lirë. Filozofi francez, Monteskje ka shkruar që në vitet 1700-ta për ndarjen e pushteteve, atë që ne e jetojmë sot në terma politik, të paktën në letër, pra mëvetësuar ligjvënsi, ekzekutivi dhe drejtësia… por çështja është se në realitet ato vazhdimisht ndërhynë tek njëra tjera.
Këtu është esenca. Mendësia se si duhet ushtruar pushteti lidhet me edukimin dhe kulturën. Por këto janë të mangëta. Prandaj duhet konstatuar se drejtësinë nuk duhet vetëm kërkuar, por edhe ta duash, ta respektosh deri në thelb të qenies, sidomos edhe ti kur je fajtor. Kështu siç po shkojnë gjërat ne veç jemi pjesë e rrethit vicioz, që përsëritet si një video e pafund. Prerja për një zhvillim nëse kjo klasë politike e dëshiron këtë, është e thjeshtë. Mosndërhyrja në drejtësi, por jo vetëm aq. Kjo e shoqëruar me kritikën e ashpër për vendimet e ushtruesve të drejtësisë nga shoqëria, që edhe ata mos të bien në komiditetin e shprehjes së shpifur nga koha e monizmit se “rastet gjyqësore nuk komentohen”. Të gjithë krahë hapur duhet të ndjejnë peshën e pamëshirshme të vrojtimit dhe përgjegjësisë. Kështu do të mësohemi të gjithë me drejtësinë por dhe do argumentohen vendimet edhe kritikat.
Klasa politike apo dhe vetë shoqëria vjen nga një e histori e caktuar, madje është rrjedhojë e saj. Nuk është se në vende të tjera shkëputjet nga mendësitë e vjetra s’janë bërë. Por që kjo të ndodhë duhet vetëdije, e fuqishme. E cila dyshoj se është prezente në atë masë, sa të sakrifikohet e jotja edhe pse me faj, për një interes më të përgjithshëm e të përbashkët. Përveç mendësisë të përgjithshme, tek ne ka dhe një dimension tjetër ngarkues. Veç mosbesimit politik është edhe ai etnik. Jo vetëm perceptim, nëse je shqiptar dënohesh më shumë,madje dënohesh dhe i pafajshëm.
Por a bëhet gjë për këtë? Ky perceptim do të duhej të shqetësonte shumë drejtësinë, sidomos ushtruesit maqedonas të saj, sepse si juristë që janë duhet ta dinë se s’ka më gjendje të pashpresë kur jeton me frikën e presion se s’mund të jesh i lirë e s’mundesh të fitosh drejtësi.
Frika nga mungesa e drejtësisë sjell tensione të tmerrshme. Por këta ushtruesit e drejtësisë reflektojnë dot? E bëjnë dot dallimin? Dhe sigurisht, politika e mundëson dot këtë gjë? Disa herë pyetjen mund të mos sjellin përgjigje por mjafton që të ngrenë diskutime. Nëse arrihet dhe kjo!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)