Tashmë tre vite drejton një institucion mjaft të ndjeshëm e për këtë në intervistë për gazetën KOHA flet mbi sakrificën që bëhet me qëllim të ruajtjes së pasurisë natyrore që ka vendi. Thotë se edhe përkundër kapaciteteve në numër të vogël mundohen që të kryejnë të gjitha obligimet ligjore që dalin kurse si Inspektorat kanë ngritur edhe procedura penale përmes MPB por që nuk janë në dijeni mbi përfundimin e tyre. Për këto e shumë gjëra të tjera që përflitet në opinion mbi gjendjen e pyjeve flasim me drejtorin e Inspektoratit shtetëror të pylltarisë dhe gjuetisë, Ejup Jahja
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Si nisi ky vit për ju në anën profesionale për shkak të periudhës së pandemisë, si po zhvillohet puna?
JAHJA: Për shkak të Pandemisë me Covid 19 filloi me shumë vështirësi në aspektin e kryerjes së kontrolleve të jashtëzakonshme në teren. Në aspektin e kryerjes së punës rrjedhimore, krijuam kushte që të gjithë të munden të kryejnë obligimet rrjedhëse të natyrës administrative. Duke marrë parasysh natyrën e punës të institucionit e cila është 80 % punë në teren dhe 20 % punë administrative, me vështirësi të mëdha jemi munduar të kryejmë punët urgjente me afat, kontrollet për mbikëqyrje inspektuese urgjente të rregullta për të mos penguar punën e subjekteve të mbikëqyrjes, mbrojtja e pyjeve dhe plantacionet pyjore të ngritura në mënyrë artificiale nga faktorë biotik dhe abiotik, në veçanti mbikëqyrje të jashtëzakonshme dhe në pjesën e mbrojtjes preventive të pyjeve nga mënyra jo e drejtë e menaxhimit, menaxhimi i pyjeve në kundërshtim me planet e veçanta për menaxhim të pyjeve dhe në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për pyje dhe aktet nënligjore. Si pasojë e rekomandimeve për Covid 19 ishim të detyruar të ndërpresim planin aksionar të filluar në vitin 2019 të kontrolleve të jashtëzakonshme në qytetet me theks të veçantë të prerjes ilegale të pyjeve.
KOHA: U bë një kohë që qëndroni në krye të Inspektoratit shtetëror për pyje dhe gjueti, në çfarë gjendje e keni gjetur dhe si është tash, a mund të na tregoni një krahasim?
JAHJA: Është e vërtetë, plot 3 vite që e drejtoj, gjendja e institucionit si gjithë të tjerët ishte në fazën e luftës për ekzistencë të politikave neglizhente të Qeverive paraprake ku disa vite me radhë mos të themi që nga formimi është bërë anashkalimi total i institucionit ku udhëheqësit kanë bërë luftë për mbijetesën e të njëjtëve me buxhet dhe kushte të mjerueshme për punë me pajisje për IT-teknologji, automjete të vjetra prej dy dekada. Nga fillimi i vitit 2018 hapëm tre fronte për të realizuar synimet në mandatin paraprak: – Bëmë vlerësimin e kapaciteteve njerëzore, kushteve materiale dhe sfidave në teren, kontrollin e punës së mëparshme të inspektorëve, intervenuam në ndryshimin e taktikave dhe metodës të punës të inspektorëve në teren dhe punët administrative me një ekip të përzgjedhur në krye të cilit isha vetë unë, vizituam çdo qytet duke kontrolluar kushtet për punë, nevojat e tyre për tu përgjigjur sfidave të terrenit, si dhe nevojat e terrenit për ta sfiduar inspektoratin. Angazhim maksimal për të informuar dhe bindur Qeverinë që pa institucione të kompletuara si në aspektin kadrovik ashtu edhe në aspektin e pajisjeve të nevojshme elementare për punë, se nuk mund të kërkohet përgjegjësi dhe rezultat nga të njëjtit, statusi i të punësuarve në institucion qoftë inspektorëve apo të administratës, angazhimi maksimal për avancimin e të njëjtëve, iniciativa për bashkëpunim të nivelit të barabartë me institucionet kompetente duke filluar nga kërkesa për ndryshimet e ligjeve kompetente deri te kërkesat për nënshkrim të memorandumeve për bashkëpunim. Zbatimi i dygjuhësisë dhe emri i ri i shtetit, ndryshimi i të gjitha dokumenteve të institucionit është realizuar mbi 90 %, arritëm që të risim buxhetin e institucionit për vitin 2019 në disa pika. Pas plot 20 vjetësh i pajisëm të punësuarit u pajisën me veshmbathje për punë në teren (uniformë), me IT-pajisje (laptop, printer, skener), u siguruan mjete dhe vegla për punë. Arritëm sukses në rritjen e buxhetit në pikën buxhetore për harxhime rrugore dhe ditore jo mjaftueshëm por e mundësuam lëvizjen dhe kontrollin e çdo qyteti nga ana e ekipeve të formuara në kuadër të inspektoratit, që mundësuan ndërprerjen e traditës negative ku gjatë kontrolleve të inspektoratit, subjekti i kontrollit ishte nikoqir i drekave, darkave dhe fjetjeve të inspektorëve.
KOHA: Sa i përket gjendjes së përfaqësimit të etniteteve?
JAHJA: Është i kënaqshëm dhe kalon përqindjen e nevojshme, pakënaqësitë janë në përfaqësim të inspektorëve ku nga formimi i institucionit, inspektori i parë shqiptarë është punësuar para një viti, si rezultat i specifikës së profesionit ku për të punësuar si inspektor kërkohet fakulteti i pylltarisë, për inspektor për gjueti mundet edhe me fakultet të veterinarisë. Nga 19 inspektorë 17 janë maqedonas, 1 vlleh dhe 1 shqiptarë, kurse nga 7 të punësuar në sektorët për punë administrative janë 5 shqiptarë dhe 2 maqedonas.
KOHA: Viteve të fundit në qendër të vëmendjes ka qenë prerja e pyjeve apo të themi shkatërrimi i tyre, sa Inspektorati ka vepruar në këtë drejtim?
JAHJA: Sipas dispozitave të Ligjit për pyje, kryen mbikëqyrje inspektuese mbi zbatimin dhe përdorimin e ligjeve dhe rregulloreve të tjera nga organet shtetërore, ndërmarrjet publike, ndërmarrje tregtare, institucionet dhe shoqatat e qytetarëve, personat juridik dhe fizik që kryejnë veprimtari në fushën e pylltarisë dhe gjuetisë. Inspektorati i pylltarisë dhe gjuetisë gjatë vitit 2020 ka kryer 2222 mbikëqyrje inspektuese (nga të cilat: 1276 mbikëqyrje inspektuese të rregullta, 747 mbikëqyrje inspektuese të jashtëzakonshme dhe 199 mbikëqyrje inspektuese kontrolluese). Në këtë mënyrë, subjekteve të mbikëqyrura u janë lëshuar 187 aktvendime për korrigjimin e mangësive të identifikuara gjatë mbikëqyrjes, 1 kallëzim penal për shpyllëzimin e pyjeve në Kërçovë dhe 6 akuza për kundërvajtje. Vlen të theksohet se të gjitha kallëzimet penale të ngritura nga Ministria e punëve të brendshme për shkatërrimin dhe prerjen ilegale të pyjeve janë të mbuluara me procesverbal nga inspektorati, por ne nuk kemi informacion për numrin dhe rrjedhën e të njëjtëve. Që të jemi më konkretë nga informacionet zyrtare të cilat i kemi, shkatërrimi spontan i pyjeve në RMV ka filluar dy dekada më parë dhe për të ju përgjigjur sfidës janë krijuar institucione dhe ligje në kontinuitet, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur qasje serioze nga ana e vetë shtetit që ta sfidojë këtë dukuri. Duke shikuar në retrospektivë palës të cilës i ka konvenuar kjo dukuri ka qenë më e fuqishme dhe më e dëgjueshme sesa vetë institucionet shtetërore të cilat është dashur të luftojnë të njëjtën. Vlen të ceken disa momente në të kaluarën një periudhë para 10 vitesh ku shkatërrimi i pyjeve ka qenë në nivel shumë të lartë, institucionet shtetërore kompetente nuk kanë pasur derivate për automjetet që të punojnë, a mos ti përmendim automjetet dhe mjetet për punë. Pas një periudhe edhe pse janë siguruar mjete, ata kanë qenë të limituara që mund të konkludojmë kur harxhimi kufizohet edhe përgjegjësia kufizohet. Në këtë kohë gjendja e institucioneve shtetërore është pak më e volitshme, mirëpo përsëri me kufizime, që i pamundëson institucionet të ballafaqohen me sfidat dhe roli i tyre për fat të keq është mbrojtës e jo sulmues. Sa i përket paraqitjeve të ndryshme nëpër portale, mediume elektronike dhe të shkruara se gjoja viteve të fundit ndodh shkatërrimi i pyjeve në mënyrë arbitrare duke krijuar huti në popullatë ku aktorë të ndryshëm pa pasur njohuri se në vend diku afër 500.000 m3 priten në mënyrë legale dhe të kontrolluara nga institucionet derisa në opinion paraqiten si shkatërrim të pyjeve.
KOHA: A jeni ju si institucion kompetent për mbrojtjen e pyjeve, nëse po, cilat janë masat e ndërmarra për zbulimin e abuzuesve të druve sigurisht në bashkëpunim me organet tjera kompetente?
JAHJA: Në bazë të nenit 98 të Ligjit për pyje, kryen mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore të ligjit për pyje. Në bazë të nenit 100 të ligjit për pyje, bën kontrollin e punës e të gjitha subjekteve që punojnë në bazë të ligjit për pyje. Sipas dispozitave të Ligjit për pyje, mbrojtja e pyjeve bëhet në këtë mënyrë. Sipas njohurive tona operative NP “Pyjet nacionale” në Shkup në caktimin e rajoneve të rojeve pyjore në 30 njësite rajonale nuk kanë roje pyjore të mjaftueshme të cilët do të ruajnë pyjet, mesatarisht një roje i caktohet ruajtje e pyjeve në sipërfaqe prej 15.000 deri 50.000 ha tokë pyjore e rregulluar dhe e parregulluar.
KOHA: A është në gjendje Inspektorati të mbajë nën kontroll gjendjen e pyjeve apo ju duhet ndihmë, nëse po cilat janë kërkesat tuaja drejtuar Ministrisë kompetente dhe Qeverisë?
JAHJA: Sipas ekipimit kadrovik dhe pajisjeve me mjete elementare për punë, si dhe mjete teknike për punë, realisht i kryen punët urgjente dhe me prioritet në mënyrë që të mos pengohet menaxhimi i pyjeve (menaxhimi i pyjeve do të thotë ngritja, kultivimi, mbrojtja dhe shfrytëzimi), që nuk mjafton me sfidat e kohës dhe problemet në teren. Ne si institucion nga faza momentale që kryejmë punë rrjedhëse dhe luajmë në mbrojtje, kemi nevojë që Qeveria të kuptojë kërkesat reale për ekipimin kadrovik dhe funksional të kalon në fazën e sulmit dhe të mundemi tu përgjigjemi sfidave bashkëkohore. Ekipimi kadrovik sipas sipërqafes së territorit është i pavolitshëm dhe nuk mund të ju përgjigjet sfidave të terrenit, nga gjithsej 26 të punësuar 7 janë në sektorin për punë administrative, kurse 19 janë inspektorë (16 inspektorë për mbikëqyrje inspektuese në pylltari dhe 3 inspektorë për mbikëqyrje inspektuese në gjueti). Ky problem u theksua veçanërisht me zgjerimin e konsiderueshëm të zonës së veprimit e cila mesatarisht për një inspektor është nga 60.000 ha deri 120.000 ha pyje, tokë pyjore dhe terrene gjuetie.
KOHA: Ka pasur dënime ndaj personave të caktuar si dëmtues të pyjeve qofshin ato fizik apo juridik?
JAHJA: Në interes të vlerave demokratike morale, po dhe në interes të vlerave ligjore në vend, siç thash më lartë gjatë inspektimeve gjatë vitit 2020 janë lëshuar 187 aktvendime për përmirësimin e mangësive të identifikuara gjatë inspektimeve, 1 kallëzim penal për shpyllëzim të pyjeve në Kërçovë dhe 6 kallëzime kundërvajtëse. Gjithashtu, në bashkëpunim me MPB janë bërë inspektime të jashtëzakonshme për të cilat janë ngritur kallëzime penale por nuk kemi informacion si kanë vijuar.
KOHA: Qoftë në media por edhe në rrjetet sociale ka pasur ankesa të shumta për prerje të pyjeve nga qytetarët veçanërisht gjatë periudhës pranverë-verë-vjeshtë, ku mund më saktësisht të drejtohen ato?
JAHJA: Qytetarët që dyshojnë për prerje të paligjshme dhe vjedhje të drurit dhe asortimenteve të drurit mund të kontaktojnë shërbimi për ruajtjen e pyjeve në NP “Pyjet nacionale”, policinë pyjore në Ministrinë e bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave si dhe MPB.
KOHA: Cilat janë kapacitetet me të cilat punoni si ato financiare, teknike por edhe resurse njerëzore?
JAHJA: Edhe pse viteve të fundit ka rritje të dukshme në buxhet por kapacitete financiare nuk përmbushin nevojat e punës. Numri i 14 automjeteve për teren malor më të vjetra se 20 vjet mbi 15% në gjendje jofunksionale me të cilat disponojmë për të mbuluar nevojat e mbikëqyrjeve dhe kontrolleve. Gjithsej të punësuar janë 26 veta prej të cilëve 19 inspektorë dhe 7 në sektorin për çështje juridike dhe administrative dhe resurse njerëzore. Mosha mesatare e inspektorëve është 54 vjeç, gjatë vitit 2019 u është siguruar nga një kompjuter laptop, printer, skener dhe uniformë punë për secilin inspektor.