[adning id="476476"]

MENAXHIMI I VOTAVE SHQIPTARE. Bashkimi dhe përçarja, tregues real

26

Nga viti 1998 e deri në vitin 2016, numri i deputetëve shqiptarë në çdo cikël zgjedhor ka qenë në rritje e sipër, ndërsa në vitin 2016 ka shënuar rrënje drastike për shkak se një numër i konsiderueshëm i votave shqiptare shkon në konto të LSDM-së së Zoran Zaevit vetëm për inat të Gruevskit. Ndërkohë njohësit e zhvillimeve politike ndërshqiptare thonë se vota e shqiptarëve në zgjedhjet e 12 prillit nuk duhet të shkojë në konto të partive maqedonase. Ato thonë se duhet të kultivohet dhe promovohet nacionalizmi progresiv dhe ekonomik

Destan JONUZI

Shkup, 4 shkurt Nga pavarësimi i Maqedonisë e deri më sot në të gjitha ciklet zgjedhore numri i deputetëve shqiptarë ka shënuar, herë rritje, e herë rrënje. Deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 shqiptarët në shtëpinë ligjvënëse kanë qenë të përfaqësuar me numër deputetësh që është sjell te 30-ta. Por në vitin 2016, për shkak të pakënaqësive të shumta të shqiptarëve nga pushteti i Gruevskit, një numër bukur mirë i tyre i dha votën LSDM-së së Zoran Zaevit, me tendencë që të rrëzoj regjimin e Gruveskit. Kështu që nga zgjedhjet e 2016-ës shqiptarët dolën të jenë të përfaqësuar në Parlament me 20 deputet, 10 BDI, 5 BESA, 3 ASH dhe 2 PDSH. Ndërsa në kampin politik maqedonas LSDM-ja edhe pse sipas një përllogaritje partiake dhe të ekspertëve mori 70 mijë vota të shqiptarëve përsëri me 49 deputet u rrëndit prapa VMRO-DPMNE-së e cila fitojë në këto zgjedhje 51 deputet.

Ish-deputeti dhe ministri i drejtësisë, Xhevdet Nasufi thotë se shqiptarët nuk mund të kenë numrin e njëjtë të deputetëve që kishin para vitit 2016, edhe për shkak të migrimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre, por edhe për shkak të modelit zgjedhor aktual.”Është normale që numrin e njëjtë të deputetëve që e kemi pasur deri në 2016-në nuk mund ta kemi. Arsyeja që nuk mund ta kemi është se populli ik nga vatrat e tyre drejt perëndimit. Numri i deputetëve shqiptarë bie për shkak të politikave joadekuate të politikbërësve tanë, partive politike. Në anën tjetër mbetët modeli zgjedhor ai që ka qenë i papërshtatshëm për shqiptarët. Modeli aktual zgjedhor sot është edhe më i papërshtatshëm për shqiptarët. Një njësi zgjedhore me lista të hapura me siguri se do të rriste edhe numrin e deputetëve shqiptar, pra numri do të ishte më i volitshëm. Pra, flasim për pjesëmarrjen e shqiptarëve në Parlament, nuk flasim për partitë politike se sa deputet do të marrin”, deklaroi për KOHA, Nasufi.

Sipas tij, hendikep i madh është që shqiptarët politikisht nuk janë edhe aq të vetëdijesuar. Mirëpo, sqaron ai, ky konstatim nuk duhet kuptuar si ofendim. “Shqiptarëve duhet tu shpjegohet se nacionalizmin progresiv nuk mund ta përjashtojmë nga politika jonë. Një nacionalizëm progresiv qoftë në votime apo ekonomi, kulturë etj … Pra edhe për avancim të gjithmbarshëm, por edhe për avancim të brendshëm si është çështja e shqiptarëve në Maqedoni. Shqiptarët avancohen edhe nëpërmjet një politike nacionaliste progresive. Shqiptari në zgjedhje duhet ta votojë shqiptarin, për shkak se maqedonasi nuk e voton shqiptarin”, thekson Nasufi.

Ish-diplomati Muhamed Halili vlerëson se për rritjen e numrit të deputetëve shqiptar është e nevojshme që në zgjedhje partitë opozitare shqiptare duhet të shkojnë të bashkuara, ndërkaq nëse LSDM-së, sipas tij nuk do ketë partnerë koalicioni ndonjë parti shqiptare, atëherë numri i votuesve shqiptar për këtë parti do të shënojë rrënje nga zgjedhjet e 2016. “Nëse partitë shqiptare shkojnë të përçarë kështu si veprojnë, nuk do të arrijnë numrin as 20 kështu siç është. Nëse bëjnë ndonjë koalicion që flitet se do bëjnë atëherë vota nuk do të derdhet, do të jetë më e bashkuar. Nëse ndonjë parti shqiptare shkon me LSDM-në në koalicion atëherë numri i votave shqiptare në konton e LSDM-së do të rritet. Ndërsa nëse asnjë parti nuk shkon në koalicion me LSDM-në, jam i bindur se numri i votuesve shqiptar do të jetë më i vogël për LSDM-në nga zgjedhjet e 2016-ës”, deklaroi për KOHA, Halili.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike ndër-shqiptare, Shpëtim Pollozhani konsideron se të gjithë popujt e civilizuar, nacionalizmin-dashurinë për kombin e kanë ide udhëheqëse. Shqiptarët duhet ti rikthehen kësaj ndjenjë që e fisnikëron kombin dhe ia garanton ardhmërinë. “Përse shqiptarët të sillen inferiorë dhe servilë duke u dhënë vota partive në maqedonase, derisa asnjë maqedonas, as me gabim nuk voton për parti shqiptare. Ne shqiptarët ende kemi probleme kombëtare shkaku edhe i shovinizmit ekonomik nacional dhe politik nga pala maqedonase. Që të zgjidhen problemet tanë vota shqiptare nuk duhet të shkojë andej. Këtë gjendje e zgjidh vetëm dashuria për kombin duke mos i lënë votat që të shkojnë kot”, deklaroi për KOHA, Pollozhani.

Ndryshe, rritja e numrit të deputetëve shqiptarë në Parlament zanafillën e ka nga vitit 1998, atëherë koalicioni PPD-PDSH arriti të marrë 25 deputet, 14 PPD-ja dhe 11 PDSH-ja e cila më pas së bashku me partin fituese VMRO-DPMNE-në e cila udhëhiqej në atë botë nga Lupço Gjorgjevski formuan koalicionin qeveritar. Në zgjedhjet e vitit 2002 partitë shqiptare arritën të marrin 26 deputet, 16 BDI, 7 PDSH, 2 PPD dhe 1 RDK. Në zgjedhjet e vitit 2006, BDI fitojë 17 deputet ndërsa PDSH 11. Ndërkohë në zgjedhjet e vitit 2014 BDI 19, PDSH 7, RDK 1, dhe arrijmë në zgjedhjet e 2016 ku numri i deputetëve shqiptarë shënon rrënjë drastike partitë politike së bashku arrijnë të fitojnë 20 deputetë. (koha.mk)