Maqedonia pritet që të fitojë zgjidhje ligjore të tepricës së ushqimit që shpesh hidhet në vend se të dhurohet për çështje humanitare
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 gusht – Ushqimi që është vendosur në qarkullim dhe nuk është shitur, ushqimit që i afrohet skadencës së afatit, ushqimi i pashfrytëzuar nga objektet hotelerike, ushqimi i konfiskuar në aspektin gjyqësor që është i sigurt për konsum. Të gjitha këto ushqime do të shfrytëzohen për të ushqyer të varfërit dhe nuk do të hidhen. Kjo do të mundësohet përmes ndryshimeve ligjore që pritet të hyjnë në fuqi në muajin shtator apo teto. Njëherazi parashikohet që kompanitë që dhurojnë ushqimin të kenë lehtësime tatimore, shkruan gazeta KOHA.
Me fjalë të tjera, Maqedonia e Veriut pritet që më në fund të fitojë zgjidhje ligjore të tepricës së ushqimit që shpesh hidhet në vend se të dhurohet për çështje humanitare. Organizatat e ndryshme joqeveritare vite me radhë kërkojnë që në aspekt ligjor të zgjidhet kjo çështje, që prek më shumë palë në zinxhirin e prodhimit, përgatitjes dhe shitjes së ushqimit siç janë dyqanet, furnizuesit prodhuesit , restorantet si dhe amvisëritë. Me ndryshimin e legjislacionit do të mundësohet që së paku 13 mijë njerëz të fitojnë tre shujta në ditë.
Qeveria në seancën e pesë korrikut miratoi informacionin për përgatitjen e Ligjit për dhurimin e ushqimit dhe angazhoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që për disa javë të dorëzojë propozim ligjin, ndërsa Ministria e Punës dhe Çështjeve sociale dhe ajo e Vetëqeverisjes Lokale në javët e ardhshme pritet të definojnë shfrytëzuesit e ushqimit që do të dhurohet, apo të përcaktojnë kriteret që duhet të plotësojnë shfrytëzuesit e ushqimit donacion , si dhe lidhur me monitorimin e shpërndarjes së tepricës së ushqimit për shfrytëzuesit. Grupi i punës për përgatitjen e këtij ligji që vite me radhë kërkohej nga më shumë organizata joqeveritare përbëhej nga më shumë institucione dhe ojq , ndërsa koordinator ishte Agjençia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Nga organizata “Ajde Maqedoni”, thonë se shteti ka një dëm prej së paku dhjetë milion euro nga hedhja e ushqimit.
“ Një zgjidhje e tillë ligjore e parë e këtij lloji është në interes të 460 mijë qytetarëve që sipas analizës së shoqatës sonë kanë nevojë për një shujtë shtesë, por edhe për biznesin. Përfitimet do të jenë të mëdha edhe nga aspekti ekonomik dhe në aspektin e mbrojtjes së mjedisit “, thotë Blazhe Josifovski nga “Ajde Maqedoni”. Sipas tij, këto ushqime do të mund të përdoren të ushqehen një pjesë e madhe e qytetarëve, ku fatkeqësisht një sasi e madhe e ushqimit, në të shumtën e rasteve si prodhime bujqësore, por edhe ushqime nga shitja me pakicë të cilës i skadon afati po përfundon në deponi.
Nga ana tjetër, njohësit e kësaj problematike thonë se miratimi i një Ligji të tillë, është mjaft i ndërlikuar për shkak se përputhen kompetencat e më shumë organeve dhe ministrive duke filluar nga Ligji për siguri të ushqimit që është nën kompetencën e Ministrisë së Bujqësisë, Ligjit për donacione që është nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë, lirimit nga tatimet që është nën kompetencën e Ministrisë së Financave, Ministrisë së punës dhe çështjeve sociale ….
Çështjet që duhet të zgjidhen në praktikë në aspektin ligjor janë procedurat se si do të veprohet me ushqim që ka afat të skaduar , por që megjithatë mund të konsumohet , si të veprohet me ushqimin që i afrohet afati i skadimit dhe mbetet i pa shitur, plotësimin e listës së ushqimeve që mund të dhurohen edhe pas skadimit të afatit, mbrojtjen e OJQ-ve nga ndjekja penale gjatë keqpërdorimeve apo fatkeqësive eventuale por vetëm në rast se në tërësi i respektojnë rregullat për ushqim të sigurt. Njëherazi përvojat e jashtme tregojnë se i tërë procesi i donacionit të ushqimit kërkon edhe një rrjet të fuqishëm dhe mirë të organizuar,logjistikë të fuqishme, kushte për magazinimin e ushqimit, transport e kështu me radhë. (koha.mk)