Ekspertët thonë se investimet në efikasitet energjetik sjellin ulje të konsumit të energjisë, rritje të konkurrencës, kthimin e investimit , automatizimin e procesit të punës, etj. Te ne bizneset pak investojnë për efikasitetin energjetik, përkundër faktit se konkurrentët e tyre në tregjet e evropiane kanë përparësi në këtë fushë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 nëntor – Industria në Maqedoninë e Veriut në dhjetë vitet e fundi po zvogëlon gradualisht konsumin e energjisë, ndonëse në përgjithësi akoma ka një nivel të ulët të efikasitetit të energjisë, që nënkupton shfrytëzimin e më pak energjie për të fituar prodhime dhe shërbime të njejta, pa përjashtuar cilësinë e tyre. Më thjesht, akoma mungojnë politika më të qëlluara ku në një proces energjetik do arrijmë rezultate të njëjta duke përdorur më pak energji.
Shtytje dhe përmirësim të kësaj situate pritet të sjellë obligimi ligjor për 250 kompani që do të kenë obligim ligjor të kontrollojnë konsumin e energjisë përmes një menaxhimi më efikas të biznesit.
“Industria vetë nuk është e vetëdijshme për përfitimet dhe mundësitë e ndryshme që ofron efikasiteti energjetik, andaj edhe kjo gjë lë për të dëshiruar. Njëherësh nevojiten përmirësime për ofruesit e shërbimeve për efikasitetin energjetik, ndërsa sfidë paraqesin edhe politikat apo mundësitë ligjore për efikasitetin energjetik”, thotë Marko Mateni ekspert nga Kombet e Bashkuara. Nga ana tjetër, njohësit e kësaj problematike thonë se kompanitë vendore patjetër se duhet ti kushtojnë një rëndësi më të madhe efikasitetit energjetik për të rritur konkurrencën e tyre në tregjet e rajonit dhe ato evropiane.
“Në nivel të shtetit akoma bizneset pak investojnë për efikasitetin energjetik përkundër faktit se konkurrentët e tyre në tregjet e evropiane kanë përparësi në këtë fushë. Andaj duhet pasur kujdes midis investimeve në masat e efikasitetit energjetik dhe të ardhurave që nuk guxojnë të ndikojnë në rezultatet e dobëta të kompanive”, thotë Pançe Atanasovski nga Agjencia e Energjetikës.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut thonë se në vitet e kaluara janë trajnuar mbi 30 ekspertë të efikasitetit energjetik, ndërsa mbi 30 kompani kanë vendosur sistemet për menaxhimin e energjisë duke kursyer afër 4 milionë dollarë apo 58.1 gigavat orë me ndihmën dhe konsulencën e programit të OKB-së,Unido.
Nga ana tjetër, kursimi prej vetëm dhjetë për qind i konsumit të energjisë mund të rrisë fitimin e kompanisë prej një deri pesë për qind, në varësi prej madhësisë së prodhimit dhe pjesëmarrjes së harxhimit të energjisë në totalin e harxhimeve prodhuese, tregojnë hulumtimet evropiane.
“Përvojat tregojnë se rritja e efikasitetit energjetik në industri arrihet përmes ndryshimit të mënyrës së menaxhimit të energjisë në kapacitetet prodhuese sesa me vendosjen e teknologjive të reja. Në çdo kompani nevojitet që të piketohen harxhuesit e mëdhenj të energjisë dhe faktorëve apo makineritë që diktojnë konsumin e energjisë siç janë elektromotorët e mëdhenj, kompresorët, frigoriferët e kështu me radhë”, thotë eksperti Dragan Bllazhev.
Ekspertët thonë se investimet në efikasitet energjetik sjellin ulje të konsumit të energjisë, rritje të konkurrencës, kthimin e investimit , automatizimin e procesit të punës, etj.
Në ndërkohë, Këshilli amerikan për efikasitet energjetik apo ACEEE, e ka vlerësuar efikasitetin energjetik të 16 shteteve të zhvilluara botërore në ekonomi në bazë të katër kritereve siç janë objektet, industria trafiku dhe përpjekjet për uljen e konsumit të energjisë në nivel kombëtar. Në vitin 2014, Gjermania e ka vendin e parë në këtë renditje por edhe në industri. Në rajon nga ana tjetër kemi rastin se ekonomitë kanë harxhim prej katër kundrejt një.
Ndryshe, një nga argumentet kryesore, në favor të përmirësimit të efikasitetit energjetik, është roli i saj kryesor në ndryshimin e zbutjes së efekteve klimaterike. Në të vërtetë, përmirësimi i efikasitetit së energjisë shihet tani si strategjia më e rëndësishme për arritjen e reduktimit të emisioneve të gazrave serë (GHG), të nevojshme këto për stabilizimin e sistemit të klimës globale.