Në realizimin e mësimit dhe organizimin e shkollës të funksionoj një komunikim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm midis mësuesve, nxënësve, prindërve. Arsimi (ministri, drejtori, pedagogu, mësuesi) duhet ta vënë nxënësin në qendër të vëmendjes së tyre, duke pasqyruar drejt cilësitë fizike e shpirtërore, proceset më të ndryshme intelektuale e morale, emocionale e shpirtërore të tij…
Nga Prof. Xheladin MURATI
Arsimi në Maqedoni është në proces të vazhdueshëm të ndryshimeve dhe të transformimit. Në kohët e fundit arsimi dhe shkolla kanë ndryshuar thuajse plotësisht dhe gjithmonë ka diçka të re – një plan, një ide, një qasje, një ambicie, një strategji. Ritmi është shumë i shpejtë, nevojat e mëdha. Dëshira për sukses, motivim, vetëbesim është e pranishme, por duhet dije, përvojë, koncept, vizion dhe qasje serioze Çdo drejtues i arsimit (ministër, drejtor, shef) duhet të ketë parasysh tri gjëra:
Së pari, qëndrimi i tyre aktiv në procesin e njohjes së arsimit, të njohë gjeopedagogjinë dhe gjeoedukatën, sepse e para argumenton ndërsa e dyta tregon.
Së dyti, ta njohë jetën shkollore, zhvillimin e nxënësit, funksionimin e personalitetit. Çdo ministër i arsimit i cili nuk ka pasur regjistër në dorë dhe nxënës para tij është i gjykuar të dështoj. Këtë e dëshmon edhe praktika.
Së treti, një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i lidhjes së arsimit me zhvillimet janë parashikimi i ndryshimeve, njohja dhe përcjellja e atyre proceseve dhe ndryshimeve që ndodhin në sferën e arsimit. Ministri i arsimit nuk bën të inicojë reforma, mandej të largohet nga arsimi.
Për realizimin e suksesshëm dhe arritjen e cilësisë e të rezultateve efikase në arsim duhet të kihen parasysh këto elemente:
- Të sjellë risi dhe vizion në ecurinë e përditshme të procesit mësimor në shkollë.
- Përgjegjësinë profesionale të të gjithë drejtuesve të arsimit (ministër e mësues) në realizimin e ndryshimeve të inicuara më parë.
- Implementimin e kurrikulës mësimore në përputhje me tendencat evropiane.
- Perfeksionimin e mësimdhënies dhe të mësim-nxënies.
- Menaxhimin korrekt, transparent, cilësor e profesional të drejtimit të shkollave.
- Në punën mësimore (proceset mikropedagogjike) dhe reformën arsimore (proceset makropedagogjike) të dominon përkushtimi, korrektësia dhe në kompetencat profesionale, personale, sociale, pedagogjike e shkencore.
- Në realizimin e mësimit dhe organizimin e shkollës të funksionoj një komunikim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm midis mësuesve, nxënësve, prindërve. Arsimi (ministri, drejtori, pedagogu, mësuesi) duhet ta vënë nxënësin në qendër të vëmendjes së tyre, duke pasqyruar drejt cilësitë fizike e shpirtërore, proceset më të ndryshme intelektuale e morale, emocionale e shpirtërore të tij, logjike e gnoseologjike, aksiologjike e demijurgjike dhe mbi të gjitha potencialin intelektual e kapacitetin punues. Në fakt, nxënësi është fillimi dhe mbarimi i procesit arsimor.
- Arsimi ka nevojë për ndryshime thelbësore në ecurinë e procesit të njohjes mësimore.
- Arsimi ka nevojë për strategji e objektiva konkrete për ecurinë, rezultate dhe cilësi në dije.
- Çelësi i suksesit në arsim është në përgatitjen profesionale-pedagogjike e shkencore të mësuesve, në aftësitë didaktike, shkathtësitë metodike dhe përgjegjësinë profesionale.
- Suksesi dhe të arriturat në mësim kërkojnë motivim dhe stimulim të mësuesve.
- Nxënësit dhe studentët të mos mbesin me dije të cunguara dhe me diploma, por pa mbulesë me dije.
- Të racionalizohen trajnimet e mësuesve sepse jot ë gjitha sigurojnë cilësi dhe efikasitet didaktikë.
- Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) të transformohet në Ent Pedagogjik, siç ka qenë dikur dhe këshilltarët pedagogjik ta marrin rolin e tyre këshillues.
- Entit Pedagogjik t’i kthehen kompetencat që i ka pas, ndërsa Inspektorati Arsimor të merret me problemet juridike të organizimit të shkollave dhe assesi inspektori të hynë në orën mësimore të mësuesit për të mbikëqyrë procesin mësimor, i cili është ekskluzivisht proces pedagogjik.
Mendoj se është thënë edhe më shumë se sa duhet. Asgjë nuk është e lehtë, por kur të njihen, ato probleme bëhen të realizueshme. (koha.mk)