Elseid Hysaj do të largohet nga Napoli e ndoshta do t’i befasojë të gjithë, duke firmosur për kampionët e Italisë. Sigurisht, nëse Maurizio Sarri do të emërohet trajner i tyre. E thotë menaxheri i Hysajt, Mario Giuffredi, i cili këmbëngul që me Sarrin trajner shkodrani ishte më i miri në rolin e tij.
“Kritikat për Elseid Hysajn? Mund të them që me Sarrin ishte anësori më i mirë në Itali dhe Europë. Më ka telefonuar edhe më parë Juventusi, por Hysaj këmbënguli se dëshironte të fitonte titullin me Napolin. Nuk e kuptoj se si mund të kritikohet. Është normale që të ndryshohet ambienti pas 4 viteve te Napoli. Do të bëhet pjesë e një klubi të rëndësishëm.”
Do të jetë Juventusi? Gjasat janë që të ndjekë Sarrin, i cili një vit më parë e kërkoi me ngulm edhe tek Chelsea, por Napoli kërkoi një çmim të lartë për kartonin e tij. Ndoshta rrethanat janë të tilla që e favorizojnë transferimin e tij në Torino. Mund të ndodhë befasia dhe të firmosë me Interin, ku do të përshtatej më së miri me skemat e Contes. E ardhmja e Hysajt është një rebus që kërkon zgjidhje. Te Napoli i Ancelotti duket se nuk mund të ketë më vend.