Nuk kanë mbaruar akoma polemikat në lidhje me transferimin e munguar të Emre Mor tek Interi në merkaton e kësaj vere. Lojtari turk, i cili është transferuar më pas te Selta Vigo, ka qenë shumë afër zikaltërve, aq sa ishin programuar vizitat mjekësore në Milano. Më pas diçka ka ndodhur (ndoshta kërkesat e larta të menaxherëve në lidhje me komisionet) dhe gjithçka është bllokuar.
Por Muzzi Ozxhan, menaxheri i lojtarit, vazhdon të flasë për këtë çështje në rrjetet sociale dhe në postimin e fundit të bërë në “Twitter” ka kërcënuar klubin milanez. “Mediat italiane do të mësojnë të vërtetën shumë shpejt dhe klubet do të mësojnë se nuk duhet të luajnë me karrierat e lojtarëve”. Një mesazh i qartë për Interin. nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim dhe të shohim se çfarë të vërtetash do të zbulojë Ozxhan.