Memorandumi në të cilin ka qasje edhe gazeta KOHA, ndërsa të cilin Bullgaria ua ka dërguar vendeve anëtare, Sofja kërkon mbështetje për pozicionet e saj. Në të kërkohet Marrëveshje bilaterale mes Shkupit dhe SofJes dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore të jenë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësim në BE, si dhe i njëjti të bëhet pjesë e kapitullit 35. Në dokumentin me gjashtë faqe ku sqarohen pozicioni i Bullgarisë karshi Maqedonisë janë theksuar çështje mbi origjinën e kombit dhe gjuhës maqedonase, mes tjerash thuhet se kombi maqedonas është projekt i ish-Jugosllavisë së Josi Broz Titos
Destan JONUZI
Shkup, 19 shtator – Gjermania si kryesuese me Bashkimin Evropian (BE) vlerëson se problemet bilaterale mes vendeve që pretendojnë të bëhen anëtare të Unionit nuk duhet të ndikojnë në kornizën negociues të zgjerimit. Ambasadorja gjermane në Shkup, Anke Hollshtajn porositë se interes thelbësor i Bullgarisë është që mos bllokohet ky proces. “Gjermania dhe vendet tjera anëtare të BE-së vlerësojnë se problemet bilaterale nuk duhet të futen në kornizën negociuese, dhe se të njëjtit duhet të zgjidhen në mënyrë bilaterale”, ka deklaruar Anke Hollshtajn, ambasadore e Gjermanisë në Shkup, duke komentuar memorandumin bullgar dërguar vendeve anëtare të BE-së.
Me memorandumin në të cilin ka qasje edhe gazeta KOHA, ndërsa të cilin Bullgaria ua ka dërguar vendeve anëtare, Sofja kërkon mbështetje për pozicionet e saj. Në të kërkohet Marrëveshje bilaterale mes Shkupit dhe Sofjes dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore të jenë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësim në BE, si dhe i njëjti të bëhet pjesë e kapitullit 35. Në dokumentin me gjashtë faqe ku sqarohen pozicioni i Bullgarisë karshi Maqedonisë janë theksuar çështje mbi origjinën e kombit dhe gjuhës maqedonase, mes tjerash thuhet se kombi maqedonas është projekt i ish-Jugosllavisë së Josi Broz Titos, gjuha maqedonase është dialekt i gjuhës bullgare dhe se nuk ka ekzistuar para 2 gushtit të vitit 1944. Përveç marrëveshjes për fqinjësi të mirë Sofja zyrtar si kusht për Shkupin për anëtarësim në BE ka edhe njohjen e pakicës bullgare.
Në anën tjetër, Gjermania nëpërmjet ambasadores së saj në Shkup, Hollshtajn ka theksuar se vendet anëtare të BE-së do të arrijnë marrëveshje për kornizën negociuese dhe se mbajtja e seancës së parë ndër-qeveritare si synim prioritar i Berlinit dhe Shkupit, është që të ndodh në muajin dhjetor. Edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani nuk pret që të vije deri te bllokimi i procesit ose shtyrje teknike të mbledhjes së parë ndër-qeveritare. Sa i përket Memorandumit, Osmani thotë se nuk futet në debat material.
Ish-diplomati Muhamed Halili thotë se marrëveshjet bilaterale parimisht duhet të zgjidhen mes dy vendeve, por në praktik në disa raste ka ndodhur e kundërta. “Parimisht çështjet bilaterale duhet të zgjidhen me bisedime mes dy vendeve që kanë kontekst për një çështje të caktuar. Por në praktik deri më tani ka ndodh e kundërta. Eksperienca me Greqinë ka treguar se çështjet bilaterale bëhen çështje të përgjithshme, të përbashkëta. Nëse në aspektin bilateral Maqedonia dhe Bullgaria nuk i zgjidhin kontekstet për të cilat kanë mospajtime, atëherë asnjë mekanizëm mbrojtës nuk ka që ato të bëhen edhe çështje të përbashkëta të gjithë shteteve anëtare të BE-së. Parimi që shtetet ti zgjidhin kontekstet e tyre bilaterale dhe pastaj të pranohen në BE, nuk është efektiv sepse kemi të bëjmë me një shtet i cili është anëtar, në këtë rast Bulgaria, dhe një shtet i cili dëshiron të behet anëtarë, dhe anëtarësimi i këtij shteti varet nga vullneti i atij shteti që është brenda Unionit”, deklaroi për KOHA, Muhamed Halili, ish-diplomat. Sipas tij, është arsyetim ajo se këto çështje janë bilaterale. “Çështjet bilaterale po që se nuk zgjidhen kalojnë në çështje të përbashkëta dhe natyrisht në këtë rast më i dobëti pëson”, nënvizon ai.
Në anën tjetër, Dragi Gjorgjiev, kryetar i ekipit të ekspertëve të Maqedonisë në Komisionin maqedono-bullgar, në deklaratë për Dojçe Vele, vlerëson se memorandumi sqarues i Republikës së Bullgarisë dërguar deri te anëtarët e BE-së gjatë vendimit për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut, në të cilën mohohet gjuha bashkëkohore maqedonase dhe identiteti, nuk mund të jetë në funksion të arritjes së suksesit të komisionit. “Sintagma ‘histori e përbashkët’ e përmendur në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, nuk është definuar në vetë Marrëveshjen. Kuptimi dhe interpretimi i tij nuk mund të mbetet jashtë kornizave të qasjeve bashkëkohore për mësim të së kaluarës”,thotë kryetari i ekipit të Maqedonisë në Komisionin maqedono-bullgar.
Gjorgjiev potencon se ekzistojnë lexime të ndryshme të historisë, por ato nuk duhet të çojnë deri në konflikt. Ndërkaq, pushteti dhe opozita kanë qëndrime të ndryshime sa i përket memorandumit të Bullgarisë. Nga LSDM-ja thonë se ata si parti kanë si synim që këto çështje të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe bisedimeve, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e kanë akuzuar kryeministrin Zoran Zaev dhe politikat e tij për shfaqen e një Memorandum të këtillë të Bullgarisë.
Ndryshe, Marrëveshja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, për të cilën Bullgaria kërkon të jetë pjesë e kornizës negociuese për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe të inkorporohet në kapitullin 35, është nënshkruar më 1 gusht të vitit 2017 nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov. Dy vjet më vonë, Parlamenti Bullgar miratojë deklaratë me të cilën mbështeti negociatat e anëtarësimit në BE për Shkupin dhe Tiranën, por më pas përcaktoi një kërkesë për njohjen e “së vërtetës historike dhe të një historie të përbashkët të dy vendet dhe popujve”. Në fund të vitit të kaluar, Akademia Bullgare e Shkencave (BAS) shfaqi qëndrimin e saj në opinion se gjuha maqedonase nuk ekziston, por është një “normë dialektore e shkruar” e gjuhës bullgare. Më 25 mars të këtij viti, në sesionin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së, me të cilin udhëheqësit e vendeve anëtare ranë dakord t’i japin dritën jeshile Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për të filluar negociatat, ndërsa Bullgaria paraqiti një deklaratë të veçantë. Në të, Sofja kërkon që Shkupi të ndalojë çdo mbështetje për organizatat që e deklarojnë veten si pakicë maqedonase në territorin e tyre, në organizatat ndërkombëtare vendi të deklarojë se nuk ka bazë për të kërkuar statusin e pakicës për ndonjë grup, kërkon gjëra specifike dhe përfshirje politike në punën e Komisionit të përbashkët për çështje historike-kulturore, si dhe gjuha maqedonase në dokumentet e BE-së dhe korniza negociuese të emërohet si gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë Veriore. (koha.mk)