Shkup, 16 shkurt – Jemi kundër heshtjes së faktorit politik shqiptar dhe për ndërtimin e një qëndrimi të shqiptarëve për këtë çështje – si dëshmi historike se ne jemi këtu në tokën tonë dhe çfarëdo emri pa pajtimin tonë, do të jetë i papranueshëm. Kështu thotë për gazetën KOHA, dr. Abulla Mehmeti, iniciator për formimin grupit nismëtar për të sensibilizuar opinionin rreth mospërfilljes së elementit shqiptar në bisedimet dypalëshe për emrin.
“Partitë e shqiptarëve që janë në pushtet, por edhe ato opozitare, në njëfarë mënyre janë pajtuar duke marrë pjesë në pushtet, që në emër të tyre të flet Qeveria, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, me pëlqimin e drejtuesve të partive shqiptare. Për momentin jemi vetëm një grup nismëtar nga intelektualë, pa parti dhe organizata pas kësaj ideje. Qëllimi është që përmes një memorandumi të sensibilizojmë opinionin e gjerë dhe sidomos opinionin ndërkombëtar lidhur me qëndrimin tonë për këtë çështje kaq me rëndësi për vendin dhe për shqiptarët”, thotë Mehmeti.
Ai njofton se grupi do të kontaktojë partitë politike për të parë qëndrimet e tyre, por siç shtoi Mehmeti, partitë nuk do të kyçen në përpilimin e Memorandumit. “Ky grup ka për detyrë të marrë qëndrimet e të gjithë faktorit shqiptar, do të kontaktohen të gjithë faktorët, për të marrë qëndrimet e tyre rreth kësaj çështje, por nuk do të jenë të kyçura në punën e këtij Këshilli dhe në hartimin e Memorandumit. Kjo, për shkak se partitë dhe disa subjekte të tjera veç e kanë treguar vetveten në lidhje me këtë çështje”, thotë Abdullah Mehmeti. Ai shton se në përgatitjen e Memorandumit do të konsultohen me ekspertë vendor ashtu dhe me ata ndërkombëtar. “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë dhe vendës, që kjo çështje të parashtrohet në formën sa më të qartë, më përmbajtësore dhe të jetë sa më gjithë përfshirëse”, thotë Mehmeti. (koha.mk)