Si ka mundësi që një popull me kaq vaj nga regjime, këtej e andej kufirit, ende lehtësisht të mos mbështesë lirinë, mendimet e ndryshme, përballjen, dialogun, debatin? Si ka mundësi që ndodh me aq lehtësi përqafimi i autoritetit, diktatit apo dhe idesë së një lideri suprem ose mbështetja e një misioni apo ideologjie aq symbyllur duke justifikuar edhe shkatërrim, shpifje, poshtërim, dhunë apo dhe likuidim moral po qoftë dhe fizik të kundërshtarit?
Nga Nazim RASHIDI
Qava. Pashë një video-material të përhapur në rrjetet sociale nga Ema Andrea, aktroja e njohur e skenës dhe mu mbushën sytë me lot. Ishte e shkurtër, e thjeshtë, bardh e zi. Ishte aktori Viktor Zhusti, i cili tregonte një histori e cila më rrëqethi. E rëndë ishte historia dhe drithërues ishte interpretimi. Nuk bëhej fjalë as për film, as për skenë teatri, por ishte një ngjarje e vërtetë. E jona, shqiptare, por e heshtur, e kaluar në mbamendjen tonë, por tashmë mbase e harruar. Ishte një rrëfim real i një njeriu me dramë të madhe, por si dramat e mijëra të tjerëve për të cilët kemi dëgjua por si kemi përjetuar, sidomos ne shqiptarët e përtej kufijve të Shqipërisë, aq direkt e që ka të bëjë me viktimat e çmendurisë së regjimit monist.
Rrëfimin që tregonte mjeshtërisht aktori Viktor Zhusti është ai i Nikut, për dhunën që ka përjetuar në kampin e Tepelenës. Rrëfimi i dramës të tij është marrë nga gazeta “Koha Jonë”. Jo sajesë, dëshmi. Dëshmia Nikut tregon se si ai në kamp ka humbur gjithë familjen. Duke varrosur vajzën pesë vjeçare, i drejtohet gruas poashtu të vdekur me fjalët “po a kjo paska ken vullnesa e hyijt moj Djellë?”. Dëshmia e tij tregon se gruaja në një anë ka pasur varret e dy djemve dhe në tjetrën të dy vajzave. Por nuk mbaron me kaq rrëqethja. Kur lirohet Niku nga burgu, përqendrimi dhe kur mbërrin në shtëpi, atij nuk i bëjnë këmbët të shkojë atje, dëshiron të kthehet në burg, në kampin e përqendrimit, në vendin ku ka qëndruar me vite të tëra. Miqtë e pyesin “po çka me lyp atje Nik?”. “Familjen. Të ma gjejnë familjen. Gjallë siç e kisha, gjallë siç ma morën”, thotë ai. Video ekzaktësisht është 1 minuta e 40 sekonda, por nuk shkulet gjatë nga truri juaj.
Shikojeni, ja linku:
(https://www.facebook.com/MemoAlbania/videos/129828317901214/),
Dhe pse e më shtyu të shkruaj ky rrëfim?
Sepse është një grusht fytyre për të na bërë të kuptojmë se tragjike dhe pa kuptim është njëmendësia, pushteti autoritar, dhuna dhe sa pak, edhe pse pjesë e historisë tonë flasim për këtë dhe më keq ende e mbështesim autoritarizmin apo dhe veprimet e dhunshme ndaj njëri-tjetrit për një ide apo mision të caktuar.
Sigurish sot, ende, nuk kemi dhunë fizike apo dënime drakonike si në monizëm, por sensi pro autoritar i shoqërisë tonë është gjithë andej. Faqja MEMO, ose “ipërkasim njëri-tjetrit” në fakt është, dhe po e sjell siç e përshkruan vetë kjo nismë këtë aktivitet: “nisma e një grupi intelektualësh dhe artistësh të pavarur për të hapur dialog konstruktiv mbi të shkuarën, duke u përballur ndershmërisht me të”. Më tej thuhet:
“Qasja artistike-sociale është një ide e Ema Andreas, autore e projektit në fazën e parë të tij.
Historitë e vërteta të vetëm pak viteve më parë, pas të cilave janë fatet e shumëkujt, – vëllait, motrës, fëmijës, të kolegut, të të afërmve tanë, të njohurve apo të panjohurve e sot duket sikur nuk kanë ndodhur kurrë, – janë përzgjedhur dhe sjellë në vetë të parë nga shkrimtari Agron Tufa”.
Projekti sipas autorëve “në thelb mbështet marrëdhënien me të vërtetën dhe mbështetet te bashkëpunimi me të gjithë ata që e ndiejnë këtë përgjegjësi shoqërore ndaj së shkuarës dhe së tashmes. Historitë e vërteta, të trajtuara artistikisht dhe të interpretuara nga personazhe publik e njerëz të zakonshëm, mund të gjenden në faqet zyrtare ose dokumentet që zotërojnë institucionet shtetërore të kujtesës, në publikime, libra apo portale online dhe kanë arritur deri te ne nëpërmjet dëshmive, kujtimeve dhe vullnetit për të treguar të vërtetën të të mbijetuarve të regjimit komunist. Zgjedhja për të rrëfyer monologët, – duke dashur që historitë mbi jetët e të mbijetuarve ose atyre që nuk ia dolën të shkojnë te të gjithë dhe t’i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme shqiptare, – është e lirë dhe shpreh qëndrimin individual të gjithkujt që ka vendosur të jetë një zë për të pazëshmit”. Në këtë faqe ka aq histori nga dhuna dramatike e regjimit komunist të Shqipërisë, sa lotët nuk e qajnë dot atë dhimbje.
Por, në kontekst të sotëm, sërish më lindin pyetje si ka mundësi që një popull me kaq vaj nga regjime, këtej e andej kufirit, ende lehtësisht të mos mbështesë lirinë, mendimet e ndryshme, përballjen, dialogun, debatin? Si ka mundësi që ndodh me aq lehtësi përqafimi i autoritetit, diktatit apo dhe idesë së një lideri suprem ose mbështetja e një misioni apo ideologjie aq symbyllur duke justifikuar edhe shkatërrim, shpifje, poshtërim, dhunë apo dhe likuidim moral po qoftë dhe fizik të kundërshtarit?
Kur shkruaj këtë tekst, është 4 Korriku dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka mbase kushtetutën më të cituar për liritë civile, ku esenciale dhe e pandryshuar është shprehur në Amandamentin e parë të saj, liria fetare, liria e shprehjes, e tubimit dhe e kritikës ndaj pushtetit.
Sot SHBA ka një president që cenon shumë çka nga integriteti dhe imazhi i këtij vendi në botë. Sensi autoritar, mënyra e ashpër e qeverisjes megjithatë nuk ka çuar ende në burgosjen, dënimin apo dhe rrezikimit të gjithë atyre që janë anti Trump.
A mbështes frymën që rrjedh nga kushtetuta e SHBA-së? PO. Por a mbështes Donald Trump me politikat e tij? JO. Madje jam kritik me gjithë veprimet e tij për aq sa unë dhe ne perceptojmë se çfarë në realitet ngjet në SHBA. Por nuk mund të mos habitem, madje shumë, se si njerëzit e tjerë, në raste edhe të lexuar dhe parë, profesorë e mësues, punonjës në medie po dhe njerëz të zakonshëm, meshkuj e femra, të rinj e të moshuar se si lehtësisht mbrojnë me çdo kusht një autoritar, që nga politikanët tanë e deri te Erdogani, të cilët kanë dëshmuar se kundërshtarët në ide i kanë shndërruar në armiq e hasëm.
Ndiqni videot e faqes MEMO. Mësoni se ç’bën dhuna e bazuar nga ide politike e cila ka pasur për qëllim të zhdukë çdo mendim kundërshtar. Ndiqni nga një video, veç një ditë të kësaj faqe dhe reflektoni se çfarë tmerri mund t’ju sjellin nëse kanë pushtet ata që nuk mendojnë si ju, ose a do të ishit sjellë edhe ju me po aq dhunë ndaj kundërshtarëve tuaj nëse ju kishit pushtet? Mendoni dot për lirinë, tuajën e të tjetrit?
Pyetje naive në esencë këto. Por jo. Është esenciale do të thosha kuptimi i të ndryshmes, e cila kur nuk është si ajo jona nuk do duhet ta kemi frikë. Mësimet për lirinë i kemi mes nesh motra e vëllezër. Nga historitë tona që rrallë kanë qenë të lumtura, mirësia mund të vijë dhe nga vetë ne sepse siç thuhet edhe tek faqja MEMO në Facebook, e cila citon një thënie të Nënë Terezës, “kemi harruar sa i përkasim njëri tjetrit dhe prandaj s’kemi paqe”.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)