Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi i shoqëruar nga kryetari i degës së RDK-së për Shkupin, Berat Abdullahu takoi ambasadorin e BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar. Në këtë takim, siç njofton zyra për informim e RDK-së, Memedi falënderoi ambasadorin e BE, Zhbogar për angazhimin e tij personal dhe të institucionit të tij në veçanti për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në vend. “Angazhimi i BE-së dhe SHBA-së e shton edhe më shumë përgjegjësinë e çdo subjekti politik në vend që të jenë edhe më konstruktiv në këto momente delikate për zhvillimin e vendit në përgjithësi”, ka thënë Memedi.
Ai theksoi se vizita e Mogerinit javën e kaluar dëshmon edhe njëherë se, për zhvillimin e vendit drejt strukturave euroatlantike më tepër kujdesen diplomatët e huaj perëndimorë sesa vet ne si politikan që jemi zgjedhur të merremi me organizimin politik në përgjithësi. “Vendi dhe rajoni kanë nevojë për ndihmën e BE-së dhe SHBA-së, që së bashku të përballemi me projektet e rrymave të ndryshme të errëta që për herë të fundit tentojnë të rishfaqen në vend dhe rajon për të krijuar obstruksione të natyrave të ndryshme”, tha Memedi, duke theksuar se vendit i duhet një qeveri progresive dhe reformatore, sa më shpejtë që është e mundshme, dhe për këtë arsye të gjitha subjektet politike në vend duhet të japin maksimumin në këtë drejtim. Ambasadori i BE-së, Zhbogar theksoi se secili organizim politik dhe shoqëror duhet të jap kontributin maksimal në tejkalimin e problemeve dhe zhvillimin e vendit në përgjithësi, dhe jo të presin që dikush tjetër të merret me detyrat e shtëpisë që duhet kryer nga aktorët vendas.
“Bashkimi Evropian është mjaft i interesuar për një Maqedoni të sigurt dhe stabile dhe në këtë drejtim ishte edhe vizita e Mogerinit javën e kaluar”, theksoi midis tjerash Zbogar. Ky takim zyrtar, siç thuhet më tej në kumtesën e RDK-së, vjen në momentin e duhur duke pasur parasysh se Maqedonia dhe Ballkani perëndimor kanë tërhequr maksimalisht vëmendjen e Bashkimit Evropian, dhe për këtë arsye, shtohet më tej, kërkohet angazhim maksimal nga të gjitha palët, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për vendin dhe rajonin në përgjithësi.