Bujar KURTAJ
Shkup, 13 janar – Skuadra e Renovës para disa ditëve ka humbur njërin nga lojtarët më të mirë të saj Agron Memedi. Mbrojtësi cilësor njoftoi klubin e tij se ka vendosur të tërhiqet nga futbolli. 36 vjeçari, për gazetën KOHA saktësoi se ka marr vendimin prej më herët.
“Vendimin për tërheqjen nga futbolli e kisha planifikuar më herët. Vlerësova se ishte koha që tu japim shansin më të rinjve”, thotë Memedi duke pranuar se nuk e ka pasur lehtë kur e ka sjell këtë vendim. “E kam pasur shumë vështirë, pasi nuk është lehtë të merresh me futboll diku 20 ose 22 vite dhe të thuash se ka ardhur koha për tu tërheq. Por, karriera e një futbollisti është kaq, një vit më herët ose më vonë, një ditë e kemi patjetër të largohemi nga futbolli profesionist”, shtoi më tej mbrojtësi cilësor.
Ai thotë se drejtuesit e klubit kanë qenë të informuar për këtë vendim.
“Sigurisht se paraprakisht rreth vendimit tim kam informuar edhe drejtuesit e klubit dhe bashkërisht kemi mare vendim që të tërhiqem. Edhe ata u pajtuan me vlerësimin se koha është për t’i dhënë hapësirë forcave të reja që janë në klub”, nënvizoi më tej Memedi.
Mirëpo, pavarësisht faktit se Agron Memedi u tërheq nga futbolli profesionist, ai është marr vesh me KF Renova që të mbetet në klub dhe të merret të udhëheq ndonjë funksion tjetër.
“E ardhmja ime pas përfundimit të karrierës si futbollist profesionist do të lidhet sërish me futbollin. Por, kësaj radhe në ndonjë post udhëheqës, ose si trajner. Sinqerisht ende nuk kam vendosur se çfarë funksioni do të kem, por me drejtuesit e klubit jemi në kontakt dhe pres që të më konfirmojnë më saktësisht se çfarë posti do të kem”, përfundoi Agron Memedi.
Agron Memedi është një prej mbrojtësve të majtë më të mirë që kanë luajtur në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë. Gjatë karrierës së tij ai ka një titull dhe një trofe të Kupës, ndërsa ka luajtur edhe për përfaqësuesen e Maqedonisë duke regjistruar disa paraqitje. Përveç Renovës, Memedi ka luajtur edhe për Shkëndijën e Metalurgun.