Bukuresht, 13 mars – Riafirmohet përkrahja e Rumanisë për eurointegrimet e vendit tonë në takimin e djeshëm në Bukuresht të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi me shefin e diplomacisë rumune, Teodor Meleskanu.
Siç kumtoi MPJ-ja rumune, Meleskanu dhe Xhaferi, i cili qëndron në Rumani me rastin e ratifikimit të Protokollit për NATO në Senatin rumun, në bisedat i kanë shqyrtuar marrëdhëniet bilaterale dhe e kanë përshëndetur avancimin e dialogut mes dy vendeve, duke përfshirë edhe në nivel parlamentar.
“Meleskanu e riafirmoi përkrahjen e Rumanisë për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe ka shprehur përkrahje për implementimin e reformave të domosdoshme të cilat do të kontribuojnë për marrjen e vendimit për fillimin e negociatave qasëse gjatë kryesimit rumun me Këshillin e Evropës, në pajtim me konkluzionet e Këshillit të BE-së nga qershori i vitit 2018”, njoftojnë nga agjencia rumune e lajmeve, AGERPRES.
Ministri Meleskanu në takim ka përgëzuar Parlamentin në Shkup për pjekurinë politike me miratimin e amandamenteve kushtetuese dhe përparimin e arritur vitin e kaluar, që kontribuoi për nënshkrimin e Protokollit aderues për NATO më 6 shkurt.
Votimi në Senat sot do ta finalizojë procedurën për ratifikimin e Protokollit për NATO në Parlamentin rumun, pasi Dhoma përfaqësuese njëzëri e ka përkrahur më 27 shkurt të këtij viti.