Një gazetë britanike që pretendonte se zonja e parë amerikane, Melania Trump ka punuar si shoqëruese luksi për njerëz të pasur, para se të martohej me biznesmenin, miliarderin dhe tani presidentin Donald Trump, i ka shpëtuar një gjobe prej 150 milionë $ për shpifje, pasi gjykata e ka hedhur poshtë padinë e ngritur nga znj.Trump. Bëhet fjalë për të përditshmen e njohur britanike “Daily Mail”, që botoi pak kohë më parë një histori ku, sipas tyre, Melania Trump ka vuajtur gjithashtu edhe nga probleme nervore gjatë fushatës presidenciale të nëntorit. Por Melania i ka mohuar të gjitha pretendimet e tabloidit. Vendimi u mor nga gjykata e Maryland në SHBA, e cila e shkarkoi çështjen, pasi vendosi se nuk kishte juridiksion për të dëgjuar një rast që përfshin një kompani të huaj, shkruan BuzzFeed. Por megjithatë, padia do të vijojë më tej për një bloger amerikan që kishte shkruar se Melani kishte vepruar si “prostitutë luksi”. Gjykata i ka hedhur poshtë pretendimet e autorit të shkrimit, i cili ka thënë se nuk e ka pasur me qëllim atë që ka shkruar. Termi “shoqëruese luksi”, në zhargonin amerikan do të thotë “prostitutë luksi” dhe fakti që është përdorur në këtë sens nga blogeri tregon që është një veprim dashakeqës sipas gjykatës. Edhe “Washington Post”, edhe “Daily Mail” pas publikimeve për zonjën e parë, më vonë i kanë tërhequr shkrimet e tyre. Melania ka marrë pjesë vetëm në njërën prej seancave gjyqësore të zhvilluara.