Botuesi i tabloidit britanik “Daily Mail” i kërkoi falje Zonjës së Parë Melania Trump dhe ra dakord t’i paguajë asaj rreth 2.9 milionë dollarë. Kjo pas një artikulli të publikuar në 2016 që përsëriste akuza të rreme, se një agjenci e modelimit ku zonja Trump ka punuar, shërbente si kompani që ofronte vajza për shërbime seksuale. Në muajin shkurt Zonja e Parë e SHBA ngriti një padi për shpifje duke kërkuar 150 milionë dollarë si dëmshpërblim për dëmtim të interesave të biznesit të saj dhe shqetësime të natyrës emocionale. Megjithatë, raportet sugjerojnë se e përditshmja angleze pagoi rreth 3 milion dollarë, duke përfshirë shpenzimet ligjore dhe dëmshpërblimin. Në faljen e saj, Daily Mail pranoi se kishte publikuar “akuza se Znj. Trump ofronte shërbime të tjera përveç se thjesht modelim”. “Ne e pranojmë se këto pretendime në lidhje me znj. Trump nuk janë të vërteta”, tha gazeta.