Konor MekGregor po shijon pushimet e merituara pas duelit të humbur më 26 gusht ndaj Flojd Mejveder, në debutimin e tij në sportin e boksit. Pavarësisht kësaj, irlandezi u largua nga ringu me një çek prej 130 milionë dollarësh, shuma më e madhe që ka fituar ndonjëherë ndonjë sportist i arteve marciale mikse. Pas fundjavës në Las Vegas, ku dhe u zhvillua përballja me boksierin amerikan, irlandezi shkoi në ishujt Balearic, që ndodhen në Spanjë, në Detin Mesdhe.
MekGregor pat deklaruar që para duelit të humbur me “KO teknik” në raundin e 10-të se pas sfidës do të shkonte në Ibiza, për të marrë pjesë në dasmën e një mikut të tij të fëmijërisë. “Ky është plani im pas duelit, do të marr një jaht me qira dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, pat thënë MekGregor, që ka mbajtur fjalën dhe ka qenë në dasmën e mikut të tij Lee Dufny. Përveç pjesëmarrjes në dasmë, irlandezi po shijon edhe disa ditë pushime me familjen e tij.