MASH është duke punuar në gjetjen e mekanizmave të ri për të vlerësuar cilësinë e arsimit, mirëpo ende nuk ka diçka konkrete. Nga MASH deklaruan se edhe nëse do të ketë testim ,nuk do të ndikojë në suksesin e nxënësve dhe pagën e mësimdhënësve
Remzije BILALLI
Shkup, 11 shtator – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po punon vazhdimisht për të përgatitur një test të ri i cili do të paraqesë mekanizëm për kontrollimin e nivelit dhe cilësisë arsimore të nxënësve . Në bazë të zëvendës ministrit të MASH, Petar Atanasov i cili për portalin deca.mk pak ditë më parë kishte deklaruar se do të ketë një të ashtuquajtur testim nacional, ku nxënësit do të testohen dy herë gjatë arsimit fillore. Një testim duhet të kryhet në klasën e katërt dhe tjetri në klasën e nëntë. Ky është model që aplikohet në Slloveni dhe do të merret si model në Maqedoni. Ndërkaq testimi do të kryhet nga Qendra e Provimit Shtetëror ku ekziston komision që ka program pune. Mirëpo nga MASH për Gazetën Koha hedhin poshtë idenë e një testimi nacional. Ata deklaruan se ende nuk kanë diçka konkrete rreth kësaj ,mirëpo janë në bisedime me drejtoritë dhe institucionet përkatëse dhe gjithçka është në nivel të ideve. MASH janë të mendimit se duhet të ketë një mekanizëm mbi kontrollin e cilësisë së arsimit i cili në radhë të parë do ti shërbejë MASH për të pasur një pasqyrë reale ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për ta ndryshuar këtë cilësi .
“Nuk kemi asgjë konkrete lidhur me zëvendësimin e testimit ekstern . Kemi modele nga vende të ndryshme si Sllovenia,Estonia ,Gjermania të cilat i kemi parasysh sepse kanë treguar rezultate mjaft pozitive dhe të suksesshme në procesin e arsimit,mirëpo gjithçka mbetet në kuadër të bisedimeve dhe ideve që jepen. Nëse vendoset të merret për bazë një nga modelet të cilat po bisedohen do të organizohen debate publike të ndryshme në mes institucioneve, profesorëve, qendrave përkatëse ,shkollave të cilët do të japin mendimin e tyre dhe bashkërisht do të vendosim”,thonë nga MASH. Në mënyrë të veçantë nga MASH potencuan se rezultatet në asnjë mënyrë nuk do të ndikojnë tek nxënësit dhe mësimdhënësit, sepse asnjë lloj testimi nuk duhet të merret si kërcënim në të kundërtën nuk do të kemi efektin e duhur,mirëpo do të arrihet kundër efekt ashtu siç ishte me testimin ekstern. Ndërkaq nga Sindikata e Arsimit , Shkencës dhe Kulturës (SASHK) të cilët më parë kishin propozuar që në vend të një provimi në vit, të ketë provim në çdo tremujor për të marrë një pamje më reale të arritjeve të nxënësve dhe rezultateve të mësimdhënësve ,mirëpo propozimi i tyre nuk kishte kaluar. Për Gazetën Koha nga SASHK deklaruan se janë të gatshëm të marrin pjesë ne grupet e punës mirëpo gjithmonë duke pasur parasysh që ti mbrojnë interesant e mësimdhënësve. “Kemi pasur disa takime me Ministrin Ademi ku kemi diskutuar rreth reformave në arsim dhe implementimin e tyre,mirëpo sa i përket se a po përgatitet ndonjë testim ne nuk kemi njohuri. Presim të jemi të kyçur dhe të ndihmojmë në çfarëdo lloj procesi në arsim sepse kemi përvojë,por mbi gjitha për ne është primare të mbrojmë edhe interesin e mësimdhënësve që ata të mos jenë të dëmtuar”, thanë nga SASHK. Testimi ekstern vitin e kaluar u ndërpre nga ish ministra e Arsimit dhe Shkencës Renata Deskoska. Ky testim ishte pjesë e reformave të qeverisë së kaluar dhe u realizua gjashte vite me radhë në arsimin fillor dhe të mesëm .Ky testim u bë me qëllim të verifikimit dhe vlerësimit të notave të vendosura nga ana e mësimdhënësve , nëse ishin të merituara apo jo. Reagimet ishin të shumta si nga ana e mësimdhënësve por edhe nga ana ë nxënësve ,sepse sipas tyre me një test nuk mund të vlerësohet notimi i nxënësve. Ishin paraparë edhe shpërblime dhe ndëshkime për mësimdhënësit mirëpo të cilat në praktikë nuk ishin dënuar. Ky vit filloi pa reformat e paralajmëruar dhe sigurisht që një testim i tilli nuk do të jetë pjesë e këtij viti shkollorë, që u konfirmuan edhe nga MASH .