Tiranë, 4 dhjetor – Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe progresi i të gjithë rajonit drejt BE-së i shërben jo vetëm rajonit, por është në interes edhe të vetë BE-së, tha kryetari i Komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian, Dejvid Mekalister, gjatë takimit në Bruksel me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
Bushati e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme të PE-së për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e demonstruar së fundmi edhe në miratimin e rezolutës pozitive për Shqipërinë, e cila inkurajon rrugëtimin drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit gjatë vitit 2019, raporton Top Channel.
Bushati e njohu Mekalister me ecurinë e reformave prioritare të ndërmarra nga qeveria shqiptare, me fokus Reformën në Drejtësi, duke u ndalur veçanërisht te zbatimi i “vetting”-ut.
Ata shkëmbyen mendime për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian.