Pas muajsh e muajsh deklaratash, akuzash, shtyrjesh e thashethemesh është arritur marrëveshja e shumëpritur. Boksieri Flojd Mejveder dhe sportisti i UFC-së, Konor MekGregor do të përballen mes tyre në një sfidë boksi më 12 raunde, më 26 gusht, në Las Vegas. Lajmi është zyrtarizuar dje në orët e para të mëngjesit, nga të dy sportistët, që kanë përdorur rrjetet sociale për të konfirmuar marrëveshjen. Sipas mediave amerikane e atyre britanike, sportistët pritet të përfitojnë mbi 100 milionë dollarë nga kjo sfidë, e cila do të zhvillohet në peshën “welter”.
Dueli di të zhvillohet në “MGM Arena” të Las Vegasit, “shtëpia” e Mejveder, aty ku ka zhvilluar 12 përballjet e fundit si boksier, para se të tërhiqej, dy vite më parë. Ndryshe, Mejveder ka një rekord prej 49 fitoresh dhe asnjë humbje në karrierën e tij, një ikonë e këtij sporti. Ndërsa MekGregor ka një rekord prej 21 fitoresh e 3 humbjesh në MMA dhe 9 fitoresh e 1 humbje në UFC, një ikonë e arteve marciale mikse. Ai që ka folur për mediat është presidenti i UFC-së, Dana Uajt. “Jemi të rrethuar nga njerëz të zgjuar dhe arritëm marrëveshjen me Flojd dhe stafin e tij. Marrëveshja më e pamundur është realizuar. Nuk them se këtë duel do ta fitojë MekGregor apo Mejveder. Por, arsyeja se përse MekGregor është një sportist i madh është se ai nuk ka frikë askënd, përballet me këdo. Ai do të përpiqet ta mundë edhe Mejvederin”, tha Uajt.