Londër, 7 prill – Kryeministrja britanike, Tereza Mej deklaroi se ekziston zgjedhje e qartë mes daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian me marrëveshje dhe obsionit në të cilin fare nuk do të vijë deri te Brekziti, lajmëroi gazeta “Observer”.
“Duke pasur parasysh atë që Parlamenti tregoi se do të ndalojë dalje të Britanisë pa marrëveshje, tani kemi zgjedhje të qartë: ta braktisim Bashkimin Evropian me marrëveshje apo fare të mos dalim”, tha Mej.
“Sa më gjatë të zvarritet e tërë kjo, është më i madh rreziku që Mbretëria e Bashkuar fare të mos dalë nga BE-ja”, deklaroi ajo.
Kryeministrja britanike, Tereza Mej të premten i dërgoi letër kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, në të cilën kërkon shtyrje të Brekzitit deri më 30 qershor, me qëllim që t’u mundësojë deputetëve ta miratojnë marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
“Britania e Madhe propozon që ajo periudhë të përfundojë më 30 qershor të vitit 2019”, shkroi Mej.
“Qeveria dëshiron të dakordojë orar për ratifikimin i cili do të mundësojë dalje të Britanisë së Madhe nga BE-ja para 23 majit të vitit 2019 dhe anulim të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, por do të vazhdojë të punojë në përgatitje përgjegjëse për mbajtjen e zgjedhjeve nëse kjo tregohet e pamundur”, theksoi Mej.
Paraprakisht, një funksionar i lartë anonim i BE-së deklaroi se kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk propozon t’i lejohet Britanisë së Madhe “vazhdim fleksibil” prej 12 muajve për dalje nga BE-ja.
Propozimi i tillë do t’i mundësonte Britanisë së Madhe në afat prej 12 muajve, por edhe më herët të dalë nga BE-ja nëse Parlamenti i atij vendi e ratifikon marrëveshjen. Megjithatë, me atë propozim do të duhej të dakordoheshin edhe anëtaret e tjera në takimin që do të mbahet të mërkurën, lajmëroi BBC. Tusk do t’i bindë liderët evropianë se në atë mënyrë nuk do të duhej të takohen për disa javë vetë, që ta prolongojnë Brekzitin.
Zëdhënësi i Komisionit evropian, Margaritis Shinas më pas deklaroi se përgjigje ndaj kërkesës së re të Mejit për shtyrje të Brekzitit deri më 30 qershor mund të japin vetëm shefat e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilët do të takohen të mërkurën më 10 prill në Bruksel.