Londër, 15 nëntor 2018 (MIA) – Kryeministrja britanike Thereza Mej sot deputetëve u tha se kanë zgjedhje të qartë – ose ta mbështesin marrëveshjen e saj për Bregzit, ose Britania e Madhe ta braktis Bashkimin Evropian pa marrëveshje, ose fare të mos ketë Bregzit.
“Zgjedhja është e qartë: mund të dalim pa marrëveshje, mund të rrezikojmë fare të mos ketë Bregzit ose mund të përzgjedhim të bashkohemi dhe ta mbështesim marrëveshjen më të mirë që mund të arrihet”, tha Mej.
Ajo e mbrojti marrëveshjen e saj , me të cilën kufiri irlandez mbetet i hapur pasi që Britania e Madhe do ta braktis Bashkimin Evropian, duke thënë se “ka vepruar në interes nacional”.
“Nuk ka marrëveshje… që nuk e përfshin këtë politikë sigurimi”, deklaroi Mej në Parlament.
Ajo tha se përfaqësuesit zyrtarë të BE-së kanë bërë “numër të madh lëshimesh” gjatë bisedimeve për Bregzitin dhe e kanë tërhequr kërkesën për marrëveshje doganore vetëm me Irlandën Veriore.
Do të ishte “tërësisht jo e përgjegjshme” që të heqim dorë, theksoi Mej dhe kërkoi që deputetët ta mbështesin draft-marrëveshjen kur do të votohet në Parlament.
Disa ministra në Qeverinë britanike sot dhanë dorëheqje në shenjë proteste për shkak të marrëveshjes së kryeministres Thereza Mej me Brukselin për braktisje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. I pari që dha dorëheqje ishte ministri britanik për Bregzit, Dominik Raab, duke theksuar se “nuk mundet me ndërgjegje të pastër ta përkrahë”, projekt-marrëveshjen për Bregzit me BE-në.
Në afat prej disa orëve dorëheqje dhanë edhe ministrja e Punës dhe Pensioneve Ester Mekvej, deputetja në Partinë Qeveritare Konservatore dhe ndihmëse e ministrit të Arsimit An-Mari Trevelijan, ministrja shtetërore në Ministrinë për Bregzit, Suela Brejvermen dhe ministri shtetëror britanik për Irlandën Veriore, Shailesh Vara.
Komisionit Evropian sot refuzoi që të marrë qëndrim lidhur me dorëheqjet e Qeverisë britanike.
Komisioni Evropian dhe Britania e Madhe dje arritën marrëveshje për kushtet e Nenit 50 i cili ka të bëjë me Marrëveshjen për tërheqje, kumtoi Komisioni Evropian.
Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk sot deklaroi se të dielën më 25 nëntor do të mbahet samit i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian në të cilin do të finalizohet dhe formalizohet marrëveshja për braktisje të Britanisë së Madhe nga Unioni.