Londër, 15 nëntor 2018 – Kryeministrja britanike, Theresa Mej sot në një konferencë për media ka thënë se me të gjitha forcat do të luftojë për miratimin e marrëveshjes së arritur me Brukselin për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja, duke theksuar se ai është në interes të votuesve britanikë.
Ajo shtoi se se pavarësisht vendimeve të vështira, një draft marrëveshje për Brekzitin, e cila tashmë ka marrë miratimin e kabinetit të saj do të mbrojë vendet e punës dhe sigurinë.
Duke përmendur përgjegjësinë e madhe që ka në procesin e Breksitit, Mej ka thënë se qëllimi i saj është që të vendosë interesin kombëtar në rend të parë.
“Besoj me gjithë qenien time se rruga që kam zgjedhur është e drejta për shtetin dhe popullin tonë”, ka thënë Mej.
Sipas saj pavarësisht disa dorëheqjeve pas miratimit të draftit të parë për Breksit ajo beson në planin e saj për largim të Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Komentet e saj kanë ardhur pasi vetëm 12 orë pasi ajo ka njoftuar se kabineti i saj është pajtuar në paktin për Breksit, ministri për Breksit, Dominik Rab dhe ministrja e Punëve dhe Pensione, Esther Mekvej kanë dhënë dorëheqje nga pozita e tyre.
Kryeministrja Mej tani ka nevojë për votën e 320 ligjvënësve në parlamentin prej 650 ulëseve për të miratuar marrëveshjen.
E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë mundësi të organizimit të referendumit të dytë, ajo ka thënë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, sepse sipas saj populli tanimë ka treguar dëshirën e tyre në referendumin e parë.
Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Breksitit.
Britania pritet të largohet nga blloku evropian në mars të vitit 2019