Londër, 12 dhjetor – Kryeministrja britanike Tereza Mej e cila pasdite do të përballet me votimin për mosbesim si lidere e Partisë konservatore, deklaroi se lideri i mundshëm i ri do të duhet ta vazhdojë afatin për dalje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ndërkaq është e mundshme edhe ta anulojë tërë procesin e Brexitit.
“Lideri i ri nuk do të mund të vijë në funksion deri në skadimin e afatit ligjor më 21 janar, kështu që zgjedhja e kryesisë së re rrezikon që kontrollin ndaj negociatave për Brexitin ta dorëzojë në duart e deputetëve opozitarë në Parlament”, deklaroi Mej në fjalimin në Dauning strit pasi që deputetët e partisë së saj për sonte paralajmëruan votim për mosbesim.
Sipas kryeministres, lideri i ri nuk do të ketë kohë sërish të negociojë për marrëveshjen për tërheqje të Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe të sigurojë miratim të ligjit për atë në Parlament deri më 29 mars, kur Britania duhet ta braktisë Unionin.
“Prandaj, një nga hapat e parë (të kryesisë së re) do të duhej të jetë vazhdimi apo anulimi i aktivizimit të nenit 50 që do të thotë edhe shtyerje apo madje anulim të Brexitit në momentin kur populli dëshiron të vazhdojmë me atë”, sqaroi kryeministrja.
Në të njëjtën kohë ajo theksoi se “do të luftojë me gjithçka ka” që të mbetet në pushtet, e njëherit u bëri thirrje edhe kolegëve partiakë ta mbështesin.
“Tërheqja në kohë të krizës do ta çonte në rrezik të ardhmen e vendit dhe do të krijonte paqartësi në momentin kur atë më së paku mund t’ia lejojmë vetes”, theksoi Mej.
Nëse humbë në votim, Mej do të mbetet lidere e partisë dhe kryeministre derisa nuk zgjidhet trashëguesi i saj, ndërkaq nëse fiton – së paku një vit funksioni i saj nuk mund të vihet në pikëpyetje.
Ndërkohë, ministri britanik i Drejtësisë, Dejvid Gok sot deklaroi se Britania duhet ta shtyjë daljen nga Bashkimi Evropian nëse deputetët konservatorë votojnë mosbesim për funksionin partiak të Mejit.
“Kur bëhet fjalë për negociim për cilin do lloj aranzhmani me BE-në mendoj se është e pashmangshme ajo të humbë gjatë votimit sonte, të shtyhet aktivizimi i nenit 50”, deklaroi Gok dhe shtoi se nuk beson se Britania do ta braktisë BE-në më 29 mars të vitit të ardhshëm.
Kryetari i të ashtuquajturit Komiteti 1922 i partisë konservatore, i cili është përgjegjës për kryesinë e partisë, Greham Brejdi deklaroi se është tejkaluar pragu i nevojshëm për inicim të votimit për mosbesim. Votimi do të mbahet mes orës 18:00 dhe 20:00 në Dhomën e ulët në Parlamentin britanik ndërsa rezultatet do të kumtohen në afat sa më të shkurtë”, informoi Brejdi.
Sipas tij, Mej nuk ishte e befasuar nga hapi i këtillë i bashkëpartiakëve të saj dhe ka dashur që kjo të mbahet shpejtë.
Në pyetjen se si ka reaguar Mej kur mbrëmë i është lajmëruar dhe e ka paralajmëruar votimin për mosbesim, Brejdi për Radion BBC deklaroi se “ka tingëlluar zyrtare dhe e padurueshme që e tërë kjo të mbahet sa më parë”.
“Sipas meje, është e qartë se kjo është në interes të vendit, si dhe të Qeverisë dhe Partisë konservatore”, konkludoi kryetari i Komitetit të Partisë konservatore, i cili e organizon votimin.
“Dobësia e kryeministres Mej tërësisht e bllokoi Qeverinë në këtë moment kritik të rëndësishëm për vendin”, deklaroi kryesuesi i Partisë opozitare laburiste, Jan Lejveri.
“Marrëveshja e kryeministres për Brexitin, e cila nuk është paramenduar mirë, nuk ka mbështetje nga Kabineti i saj, nga partia, nga Parlamenti apo nga vendi. Ndarjet e brendshme në Partinë konservatore paraqesin kërcënim për vendet e punës dhe standardin jetësor të njerëzve”, deklaroi ai.