Kryeministrja britanike, Tereza Mej dërgoi 30 anëtarë të Qeverisë së saj dhe këshilltarë nëpër mbarë vendin, që të sigurojnë mbështetje nga populli, me qëllim që t’u bëhet presion deputetëve për ta mbështetur marrëveshjen e saj për Brekzitin.
Tre ditë para mbajtjes së debatit pesëditor për marrëveshjen, analiza të mediumeve perëndimore, tregojnë se vetëm 27 nga 163 deputetë, të cilët kanë folur për atë, u deklaruan për mbështetje të marrëveshjes, përderisa 122 thanë se do të votojnë kundër, mes të cilëve edhe 29 anëtarë të partisë konservatore të Tereza Mejit.
Kryeministrja britanike theksoi se marrëveshja, për të cilën negocioi gjatë dy viteve e gjysmë është më e mira që Britania mund ta ketë dhe se alternativë është edhe largimi pa marrëveshje, por, kjo mund të ketë efekte shkatërruese ndaj ekonomisë.
Mej i dërgoi këshilltarët e saj më të spikatur, duke e përfshirë edhe ministrin e Financave Filip Hamond dhe ministrin e Shëndetësisë, Met Henkok në shkolla, spitale dhe ndërmarrje të vogla në mbarë shtetin për t’i paraqitur argumentet e saj para popullit.
Ajo thotë se është me rëndësi që ministrat të bisedojnë dhe t’u sqarojnë qytetarëve, se si Brekziti do të funksionojë në rastin e tyre.