Londër, 21 maj – Kryeministrja britanike, Thereza Mej sot i porositi deputetët në Dhomën e Poshtme të Parlamentit në Vestminster se do t’ua japë mundësinë e fundit që ta miratojnë Marrëveshjen për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, që Qeveria e saj dhe Brukseli e arritën në nëntor vitin e kaluar, përcjellë KOHA.
Siç njofton DPA, me qëllim që t’i përfitojë deputetët e Partisë së saj Konservative dhe të Partisë Laburiste në opozitë për ta mbështetur Marrëveshjen, Mej u premtoi më shumë lëshime, duke e përfshirë edhe votimin në Parlament për mbajtjen e referendumit të dytë për Bregzit.
Ajo theksoi se deputetët të cilët nuk do ta mbështesin marrëveshjen gjatë prononcimit të katërt për të në fillim të qershorit, gjegjësisht do “të votojnë për ndalimin e Bregzitit” dhe do të kontribuojnë për moszbatimin e rezultateve të referendumit prej vitit 2016, në të cilin shumica e britanikëve u prononcuan për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Dhoma e Poshtme e Parlamentit britanik deri më tani tri herë e refuzoi Marrëveshjen për Bregzit, por Mej shpreson se përfundimisht në tentimin e katërt deputetët do ta miratojnë tekstin e dakorduar. (koha.mk)