Bujar KURTAJ
Shkup, 5 dhjetor – Pas Klubit të basketbollit “Liria” këtë vit në elitën e basketbollit vendor po garon edhe KB “Shkupi”. Edhe pse është sezoni i parë i saj, dhe në përbërjen e tyre kanë basketbollist të ri, djemtë e trajnerit Enver Miftari dita ditës po luajnë mirë e më mirë. Pos basketbollistëve të huaj dhe disa të tjerë që kanë më tepër përvojë dhe që bartin peshën më të madhe, në mesin e tyre ka edhe basketbollist të rinj të cilët janë të talentuar dhe një ditë mund të shkëlqejnë. Ndërkaq, njëri prej atyre është edhe 13-vjeçari nga Shkupi Rezart Mehmeti. Edhe pse ka vetëm 13-vjeç, ai debutoi në parket në përballjen me skuadrën e Rabotniçkit, duke hyrë në histori, si basketbollisti i dytë që ka debutuar në Superligën e Maqedonisë, pasi para tij ka qenë Nikolla Gajdaxhiev, i cili me vetëm 9-vjeç shënoi paraqitjen e parë në fanellën e ish-skuadrës “Nikoll Fert” në vitin 2001. Një moment i veçantë për karrierën mëtejme të Rezartit, por edhe për vëllain e tij Besartin, i cili gjithashtu është pjesë e KB Shkupi si dhe familjen, nga e cila vjen përkrahja më e madhe.
Për gazetën KOHA ylli i ri i basketbollit vendor , ndoshta një ditë edhe ndërkombëtar, Rezart Mehmeti rrëfen përshtypjet për paraqitjen e tij të parë në Superligë, hapat e parë me basketbollin, mesataren e pikëve që i ka shënuar për të rinjtë, ambiciet e tij dhe tregon për basketbollistin që e pëlqen më së shumti. “Ka qenë një ditë e veçantë dhe e papërshkruar që pata mundësinë të arrij këtë sukses në këtë moshë. Kjo në fakt është ëndrra e secilit fëmijë i cili e donë basketbollin. Në momentin kur trajneri Enver Miftari më lejoji që të inkuadrohem në lojë, ishte një çast ku një nga ëndrrat e mia sportive po realizohej dhe isha tepër i emocionuar por dhe shumë i lumtur. Ky është një motiv shumë i madh për mua që të vazhdoj angazhimet e mia dhe të mundohem të arrij suksese të mëtutjeshme”, shprehet Rezarti.
Pas debutimit, vijnë pikët e para
Në ndeshjen ndaj Rabotniçkit, Mehmeti në lojë u inkuadrua në minutën e fundit dhe nuk pat mundësi të shënojë pikët e parë në Superligë. Mirëpo, ajo i shkoi për dore në përballjen tjetër kundër “Ohrid AV”, ku Rezarti mori përsëri besimin e trajnerit Miftari, i cili luajti 2 minuta e 44 sekonda ku arriti të shënojë pikët e para për ekipin e tij të zemrës. “Rasti i dytë ku unë pata mundësinë të jem pjesë e ekipit të ligës së parë, ishte përballja ndaj skuadrës nga Ohri. Shënova pikat e para dhe kjo për mua paraqet një bindje që ky sport është pasioni im dhe kjo është ajo që dua ta bëj dhe e bëj me qejf. Besimin që trajneri ma dha për herë të dytë për mua do të thotë që ai por edhe klubi presin gjëra të mëdha nga unë dhe e imja mbetet që mos ti zhgënjej asnjëherë”, vazhdoi më tej 13-vjeçari nga Shkupi. Derisa, para se të grumbullohet për ekipin e parë, Rezarti ke luajtur edhe për moshat e rreja, ndërsa aty ka qenë më i miri dhe basketbollisti më efikas. “Siç edhe e dini për nga mosha ime, që nga fillimi kam qenë pjesë e ekipit te gjeneratës time dhe poashtu kam qenë i angazhuar edhe në ekipin e gjeneratës 2000, në te cilën luaj edhe tani. Mesatarja e pikëve që unë kam arritur të shënoj është 24 pikë me gjeneratën 2003, ndërsa me 2000 mbi 15 pikë. Shpresoj të vazhdoj me këtë temp dhe këtë mesatare të pikëve ta kem një ditë edhe për ekipin e parë të KB “Shkupi”.
Ndjek hapat e vëllait Besartit
Ndryshe, Rezarti karrierën e nisi te KB “Shkupi” në moshën 7-të vjeçare. Inspirimi për këtë sport ka ardhur nga vëllai më i madh Besarti, i cili gjithashtu merret me këtë sport dhe është pjesë e KB “Shkupi”, ndërsa pranon se rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tij ka edhe trajneri aktual Enver Miftari. “Hapat e para si basketbollist i kam filluar prej moshës 7-vjeçare. Duke parë vëllain tim më të madh, i cili çdo ditë shkonte në stërvitje dhe çdoherë kur shkoja ta shihja gjatë ndeshjeve, lindi dhe dëshira dhe ideja që edhe unë të filloj të merrem me këtë sport. Rol të veçantë në gjithë këtë rrugëtim ka luajtur dhe trajneri im Enver Miftari, i cili poashtu është një nga arsyet kryesore pse kam zgjedhur basketbollin dhe gjitha këto suksese të deri tanishme do të ishin ta pamundura pa ndihmën, udhëheqjen dhe këshillat e tij. Ai gjithmonë me palodhësi që nga hapat e para e deri tani është shtylla kryesore dhe përkrahja më e madhe për mua”.
Pranë kalimit te “Aurora Basket Jesi”
Kur debuton në një moshë kaç të re dhe posedon një talent siç e ka Rezarti, kuptohet se interesimi i ekipeve menjëherë fillon. Në fakt kjo edhe ndodhi, pasi për shërbimet e 13-vjeçarit interesim të madh kanë shprehur edhe drejtuesit e skuadrës së njohur italiane “Aurora Basket Jesi – Ancona”, ndërsa ai më veç ishte në testime te ky klub. “Gjatë muajit të kaluar kishim një trajner nga ky klub i cili nëpërmjet kontaktimit me trajnerin tonë kishte ardhur për të na vlerësuar dhe testuar disa lojtarë. Pas kësaj morra dhe ftesën që ti bashkëngjitëm këtij klubi në stërvitje ku ky trajner së bashku me të tjerët do të më testojnë. Gjithçka kaloi shumë mirë¸ klubi në fjalë më pëlqeu dhe kanë shprehur interes të madh për transferimin tim. Momentalisht jemi duke diskutuar kushtet të cilat do të me ofrohen dhe mund të them lirshëm se jemi shumë afër arritjes së marrëveshjes”, bën të ditur Mehmeti.
Në fund si çdo basketbollist i ri edhe Rezarti tregoi se kush është basketbollisti i tij i preferuar. “Basketbollisti im më i preferuar është Kyrie Irving i cili është lojtar në ligën e famshme të NBA dhe pjesë e skuadrës së Boston Seltiks. Dëshira ime është që të vazhdoj me sukseset e mia dhe të arrij të luaj në Euroleague në të ardhmen”.