Kryetari i Komunës së Tetovës edhe përfaqësues nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë, u shprehën se në të ardhmen – do të konsultohen me përfaqësues të komuniteteve tjera joshumicë në Tetovë me qëllim që të marrin përkrahjen edhe kur të votohet në këshill kjo iniciativë
Urim HASIPI
Tetovë, 11 gusht – Mehmet Gega, Rahim Beqiri, Sheshi Menada, Hasan Tahsini…. janë disa nga emrat do të duhet që të zëvendësojnë Sheshin Iliria, Strasho Pinxhur, apo Rrugën e Rusisë në Tetovë. Kjo është thënë gjatë një debati që ka zhvilluar kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me anëtarët e Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë, në kuadër të ndryshimeve të emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe institucioneve të ndryshme në Tetovë. Lista e emrave është e gjatë dhe përfshinë emra të shumë personaliteteve nga periudha të ndryshme të historisë. “Për shembull, Menada, Hoxhë Hasan Tahsini, për shembull do të kemi një emër të rilindësit, ka edhe emra si për shembull njerëz që kanë vuajtur dhe janë pjesë e realitetit, pse mos ketë një emër sheshi apo rruge Mehmet Gega, që është një emër i sakrificës, Rahim Beqiri, që është një sakrifikues i luftës së vitit 2001. Partitë politike duhet të na lënë rahat që ta kryejmë këtë punë”, tha Zeqir Kadriu, anëtarë i Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Art dhe Shkencë në Tetovë.
Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, tha se kjo iniciativë do të vazhdojë të konkretizohet edhe më shumë, pasi që në debat dhe në konsultim do të përfshihen edhe bashkësitë tjera etnike në Tetovë. Sipas tij, edhe pas 30 viteve pluralizëm, ende nuk kemi sinjalistikë adekuate të rrugëve dhe të gjithë institucioneve tjera. Kasami është shprehur optimist se gjatë vitit 2023 do të përmbyllet çështja e ndryshimit të emrave në Tetovë.
“Sigurisht se do të duhet të trajtohen disa aspekte në gjithë këtë projekt, që nënkupton nga aspekti i përfshirjes së gjitha kategorive të qytetarëve duke përfshirë edhe pjesën historike e kulturore, sociale, sportive por edhe aspektin procedural, që nënkupton procedurat konform ligjit për emërtimin e rrugëve, shkollave, urave, shesheve e kështu me radhë. Është një veprimtari shumë komplekse, të cilin ne e nisim, duke biseduar për kornizën në të cilën do të duhet të zhvillohet kjo, si në përfshirjen e kategorive të caktuara të qytetarëve por edhe kornizën formale juridike si do të realizohet. Ka pasur në të kaluarën disa tentime për ndryshimin e emrave të rrugëve por nuk asnjëherë nuk ka rezultuar me një projekt të kompletuar. Prandaj sot ne ballafaqohemi në rrugë që kanë dy emra dhe nuk e dijmë se cili emër është zyrtar”, tha kryetari Kasami.
Ndryshe, edhe kryetari i komunës së Tetovës edhe nga Shoqata Akademike e Shqiptarëve për Art dhe Shkencë, u shprehën se në të ardhmen do të konsultohen me përfaqësues të komuniteteve tjera jo shumicë në Tetovë me qëllim që të marrin përkrahjen edhe kur të votohet në këshill kjo iniciativë. (koha.mk)