Mehmet Ali Pasha i Egjiptit kishte një sekretar armen, me emrin Artin Bej.
E pyet një ditë: – More Artin Bej, çfarë është ky Macchiaveli (Makijaveli), se shumë po e dëgjoj, Makijaveli kështu, Makijaveli ashtu?
– Shkëlqesi, ky është një shkrimtar italian, i tha Artin Beu, që ka shkruar një libër për “Princin”, që është një si biçim beu; flet për pushtetin dhe politikën. – Ashtu, ë? Epo mirë! Përkthemë diçka dhe të ma lexosh! (Se Mehmet Aliu deri vonë nuk mësoi shkrim e këndim).
Dhe Artin Beu nuk ia bëri fjalën dysh, i hyri punës tëk-e-tëk, i përktheu nja 30-40 faqe të mira të Princit në osmanisht dhe nisi t’ia lexojë, një ditë nga 10, një ditë tjetër nga 15 e kështu më tutje. Jo si të bëhesh princ falë mbështetjes së qytetarëve, jo si ta mbash pushtetin me çdo kusht, jo si princi nuk duhet ta mbajë fjalën, jo arsyeja shtetërore dhe çfarë është ajo, si duhet të jesh i paskrupullt, si duhen qëruar kundërshtarët me gjithë kundërshti etj. etj. etj. Dhe vazhdoi kjo punë për disa ditë, derisa pashai e pa njëherë dhe i tha: – Artin Bej, po na thuaj ndonjë gjë të re, se këto i dimë!