Admir Mehmedi duket se ka lënë pas shqetësimet fizike dhe është kthyer në formën e tij më të mirë, duke lënë menjëherë shenjë me fanellën e Wolfsburgut për të harruar zhgënjimin e verës kur pa si spektator Botërorin Rusi 2018. Sulmuesi shqiptar që përfaqëson Zvicrën, ka treguar aftësitë e tij në fundjavë, me dy gola të shënuar ndaj Bayer Leverkusen, për të ndihmuar ekipin e tij që të vazhdonte luftën për të siguruar zonën Champions në Bundesligë.
Por, fati i sulmuesit mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse një grup me hajdutë nuk do të kishin vendosur që të grabisnin xhaxhanë e tij shumë vite më parë. Mehmedi jetonte me familjen e tij në Bellinzona, pasi babai i tij kishte emigruar nga Maqedonia në kërkim të një jete më të mirë për familjen. Por, në vitin 1999, një ngjarje tronditi familjen Mehmedi.
“Xhaxhai im Hasim drejtonte një restorant në Suzah, në Vintertur. Kur po mbyllte një natë restorantin, ai u sulmua nga hajdutë të armatosur. Ata i morën të gjitha paratë, por dëmi psikologjik ishte më i rëndë. Kjo është skena që ka ndryshuar të gjithë jetën time”, tregoi Mehmedi për “Blick”.
“Unë isha i lumtur asokohe në Tiçino, kisha mësuar edhe italishten përveç gjuhës shqipe. Por pas sulmit ndaj xhaxhait tim, asgjë nuk ishte më e njëjta. Ai i kërkoi babait të shkonte tek ai ta ndihmonte me restorantin dhe moralisht, ishte shumë i frikësuar.
“Kjo është arsyeja pse ne lëvizëm drejt Vintertur. Si fëmijë, nuk kuptoja, edhe për faktin se nuk flisja asnjë fjalë gjermanisht. Por, sot e di që është gjëja më e mirë që më ka ndodhur në jetë”, shpjegoi Mehmedi.